Lidhje

Presidenti i Serbisë kërkon largimin e barrikadave në veriun e Kosovës


Presidenti i Serbisë kërkon largimin e barrikadave në veriun e Kosovës
Presidenti i Serbisë kërkon largimin e barrikadave në veriun e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, bëri thirrje sot që forcat e KFOR-it në Kosovë t’i japin fund operacioneve për largimin e barrikadave në veriun e Kosovës, ndërsa u kërkoi përfaqësuesve serbë në atë zonë që "të ftojnë qytetarët të largojnë vetë barrikadat". Në një takim me gazetarë në Beograd, ai tha se operacionet e KFOR-it rrezikojnë jetën e qytetarëve, prandaj ata duhet të tregohen të përmbajtur dhe të fillojnë bisedimet me përfaqësuesit politikë të serbëve.

“Përfaqësuesve politikë të serbëve në veriun e Kosovës që kanë legjitimitetin e tyre sepse janë votuar në zgjedhje, u bëjë thirrje të bëjnë gjithçka për të larguar barrikadat, sepse ato rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe nuk sigurojnë mbrojtjen e asnjë interesi kombëtar. Përkundrazi na vënë në situatë që të humbim çdo mundësi për mbrojtjen e interesave themelore edhe në veriun e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare”, tha presidenti serb.

Komentet e tij pasuan shkallëzimin e dhunës në veriun e Kosovës një ditë më parë kur të paktën 23 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë. Dhuna e djeshme u dënua në shkallë të gjerë nga autoritetet vendase e ndërkombëtare. Situata sot në veri vazhdon të jetë e tensionuar. Protestuesit serbë kanë ngritur një barrikadë të re në afërsi të asaj që ishte larguar një ditë më parë nga forcat e KFOR-it, të cilët kanë paralajmëruar se do për përdorin të gjitha mjetet e përshtatshme për të mos lejuar sulmet ndaj tyre. Ata hodhën gaz lotsjellës në orët e pasdites grupeve të serbëve që ishin mbledhur në barrikadën e re. Nuk ka pasur njoftime për të lënduar.

Presidenti serb, tha sot se “sa herë që ndodhë shkallëzimi i dhunës, interesi kombëtar serb në Kosovë është më i rrezikuar, sepse Serbia nuk ka mundësi që interesat e saj t’i mbrojë me mjete shtetërore”. Sipas tij në një situatë të tillë përfitojnë vetëm ekstremistët.

“Sa i përket statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sot jemi më larg sesa që ishim pardje, pikërisht për shkak të asaj çfarë ka ndodhur në veriun e Kosovës”, tha presidenti serb.

Javën që vjen pritet vendimi rreth propozimit që Serbisë t’i jepet ky status, por, kusht është përparimi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës, ku po vazhdon bllokimi i rrugëve nga serbët lokal që nuk pajtohen me shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Presidenti serb Boris Tadic, tha se nuk guxojnë të përsëriten gabimet e viteve të 90’ta, kur përfaqësuesit e serbëve kishin refuzuar planet ndërkombëtare, duke ju referuar planeve që ishin ofruar gjatë luftës në Kroaci për zgjidhjen e çështjes së territoreve të banuara me shumicë serbe që u ofrohej një shkallë e gjerë e autonomisë.

Nesër në Bruksel pritet të mbahet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku pritet të debatohet edhe për statusin e vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG