Lidhje

Presidenti Karzai dënon ashpër fotografitë e ushtarëve amerikanë

  • Zëri Amerikës

Presidenti afgan Hamid Karzai thotë se fotografitë “e neveritshme” të ushtarëve amerikanë duke marrë poza pranë trupave të kryengritësve të vrarë, vetëm se theksojnë edhe një herë nevojën e përshpejtimit të tërheqjes së trupave të huaja nga Afganistani.

Në një deklaratë që bëri sot, Presidenti Karzai tha se kalimi i plotë dhe i menjëhershëm i përgjegjësive të sigurisë “është mënyra e vetme për t’i dhënë fund këtyre eksperiencave të dhimbshme”. Ai i dënoi ashpër veprimet e luftëtarëve amerikanë, duke thënë se ato ishin “jo-njerëzore dhe provokuese”, ngaqë ushtarët morën dhe shpërndanë fotografi të tilla.

Fotot e vitit 2010 paraqesin pjesëtarë të ushtrisë amerikane, duke marrë poza pranë kryengritësve të vdekur gjatë sulmeve vetëvrasëse.

Gazeta “Los Angelos Times” botoi dje dy nga 18 fotografitë në faqen e vet në Internet. Sipas gazetës, një ushtar amerikan ja dha fotot gazetës, me kushtin që të mbetej anonim, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen për difektet e udhëheqjes dhe të disiplinës në ushtri, për të cilat ai mendonte se përbënin kërcënim për sigurinë e trupave.

Ushtari i tha gazetës se të gjithë ushtarët e paraqitur në fotografi kishin shokë që ishin vrarë, apo të plagosur gjatë sulmeve vetëvrasëse, ose me bomba artizanale.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s reaguan menjëherë pas publikimit të fotografive. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta tha se kanë filluar hetimet dhe se personat përgjegjës do të çohen para drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG