Lidhje

Presidenti Kenedi dhe kriza e raketave kubane


Presidenti Kenedi dhe kriza e raketave kubane
Presidenti Kenedi dhe kriza e raketave kubane

John Fitzgerald Kennedy, demokrat, fitoi ndaj nën-presidentit republikan, Riçard Nikson në një prej zgjedhjeve më të ngushta në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai filloi nga detyra në janar të vitit 1961. Dhe nuk kaloi shumë kohë, kur administrata e tij u ndodh përballë një prej krizave më të frikshme në historinë e Shteteve të Bashkuara.Tre muaj pasi filloi detyrën, Kenedi u përball me një dështim të madh në politikën e jashtme.

Më 17 prill, 1961, disidentë të armatosur kubanë u përpoqën të pushtonin Kubën, e cila ndodhet më pak se 150 kilometra nga shteti jugor i Floridës. Ata ishin stërvitur nga Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA. Objektivi i tyre ishte përmbysja e Fidel Kastros. Më 1959, Kastro dhe forcat e tij guerrile rrëzuan nga pushteti presidentin Fulgencio Batista, i cili mbështetej nga Shtetet e Bashkuara.

Disidentët zbarkuan në Gjirin e Derrave të Kubës. Shumica e tyre u vranë ose u kapën. Administrata e fundit, nën Presidentin Duajt Ajzënhauër, kishte planifikuar ndërhyrjen, por Kenedi e miratoi atë. Pas këtij dështimi, disa amerikanë shqetësoheshin nëse presidenti 43 vjeçar kishte mjaft përvojë për të udhëhequr vendin.

Në maj të vitit 1961, Kenedi shkoi në Paris, ku u takua me Presidentin francez Sharl de Gol. Në qershor, presidenti u takua në Vienë të Austrisë me kryeministrin sovjetik, Nikita Krushov, i cili nuk donte të bënte kompromis për asnjë çëshje. Ai kërcënoi bllokimin nga gjermano-lindorët të të gjitha lidhjeve me Berlinin Perëndimor, i kontrolluar nga forcat aleate.

Në nëntor, gjermano-lindorët, me mbështetjen e sovjetikëve, filluan ndërtimin e Murit të Berlinit për të ndarë Lindjen nga Perëndimi. Presidenti Kenedi menjëherë njoftoi një rritje të ndjeshme të forcave ushtarake amerikane në Gjermani.

Pas më pak se një viti ndodhi kriza e raketave kubane. Më 22 tetor 1962, Presidenti Kenedi bëri një njoftim drejtuar popullit amerikan.

"Qeveria ime, siç kam premtuar, ka ndjekur nga afër shtimin e forcave ushtarake sovjetike në Kubë. Gjatë javës së fundit, prova të pagabuara kanë vërtetuar faktin se një seri bazash për raketa po përgatiten në atë vend dhe qëllimi është krijimi i aftësive për një sulm bërthamor kundër hemisferës perëndimore. Si rezultat, udhëzova intensifikimin e survejimit dhe kemi arritur në këtë konkluzion: Në këto qendra po instalohen raketa me rreze të mesme, që mund të sulmojnë deri në Uashington, Kanalin e Panamasë, Kepin Kanaveral, qytetin e Meksikës ose çdo qytet tjetër në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, Amerikën Qendrore dhe zonën e Karaibeve".

Kenedi pati një paralajmërim edhe për sovjetikët.

"Ky vend i përmbahet politikës që një sulm me raketë nga Kuba kundër çdo vendi të hemisferës perëndimore do të konsiderohet si një sulm nga Bashkimi Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, akt që do të kërkojë përgjigje plotësisht hakmarrëse ndaj Bashkimit Sovjetik".

Kenedi dhe këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare debatuan se ç’duhej bërë rreth raketave sovjetike në Kubë. A duhej të ndërmerej një sulm për shkatërrimin e tyre dhe ç’duhej bërë nëse ato nuk shkatërroheshin të gjitha?

Kenedi vendosi të përdorte një bllokadë detare, që e quajti "karantinë" për të parandaluar hyrjen e anijeve të tjera sovjetike në Kubë.

Pati negociata të tensionuara me sovjetikët. Krushovi kërkoi që Shtetet e Bashkuara të premtonin se nuk do të pushtonin Kubën. Kenedi e pranoi këtë kërkesë, por fshehurazi ai kishte pranuar edhe një kërkesë tjetër. Ai kishte premtuar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin raketat Jupiter me bazë në Turqi, pasi të merte fund kriza.

Kriza e raketave kubane zgjati 13 ditë dhe ngjalli frikën e një lufte bërthamore, megjithatë përfundoi në mënyrë paqësore pasi sovjetikët ranë dakord të tërhiqnin raketat e tyre nga Kuba dhe të kthenin anijet drejt vendit të tyre. Por Lufta e Ftohtë vazhdoi.

XS
SM
MD
LG