Lidhje

Presidenti kinez për vizitë në Shtetet e Bashkuara


Presidenti kinez për vizitë në Shtetet e Bashkuara
Presidenti kinez për vizitë në Shtetet e Bashkuara

Presidenti amerikan Barak Obama theksoi sot se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të angazhohen në dialog dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën, megjithëse mes këtyre dy vendeve ka fusha ku shfaqen mospajtime. Këto komente presidenti i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp të zhvilluar para pak minutash me homologun e tij kinez Hu Gjintao. Zoti Obama tha se ishte treguar shumë i hapur në bisedimet që kishte zhvilluar me udhëheqësin kinez, i cili ndodhet në Uashington për bisedime mbi çështje që nga mosmarrëveshjet ekonomike e deri tek Koreja e Veriut. Ai mbërriti dje në një bazë ajrore pranë Uashingtonit dhe sot u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Barak Obama, zonja e parë Mishelë Obama dhe zyrtarët më të lartë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Pritja që iu bë Presidentit kinez ishte madhështore. Pas elementëve ceremonialë, presidenti Obama shprehu mirëseardhjen në emër të tij dhe të popullit amerikan. Zoti Obama kujtoi vizitën e Presidentit kinez Ten Ciaopin në Uashington menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, kur president ishte Xhimi Karter.

“Po të hedhim vështrimin në atë ditë dimri të vitit 1979 është e qartë se 30 vjetët që i paraprinë asaj dite, kishin qenë një periudhë marrëdhëniesh të ngrira, 30 vjetët e kaluar kanë qenë një kohë shkëmbimesh në rritje dhe mirëkuptimi dhe me këtë vizitë ne mund të vendosim themelet për 30 vjetët e ardhshëm”.

Presidenti Hu shprehu kënaqësinë që ndodhej në Uashington dhe që vizitonte Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit të ri dhe përcolli urimet më të mira të popullit kinez për popullin amerikan.

“Kam ardhur në Shtetet e Bashkuara për të konsoliduar besimin reciprok, për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin dhe për të çuar përpara marrëdhënien pozitive, bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për shekullin e 21-të”.

Dje Presidenti kinez bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë për një darkë jorzyrtare me Presidentin Obama. Vetëm këshilltarët më të afërt ishin të pranishëm dhe nuk u morën shënime për bisedën për të lejuar një diskutim më të hapur.

Disa qindra protestues u mblodhën në një park përballë Shtëpisë së Bardhë gjatë darkës duke kërkuar pavarësinë e Tibetit dhe vëmendje më të madhe për të drejtat e njeriut në Kinë.

“Ne jemi këtu me përkrahësit tanë tibetianë dhe amerikanë nga gjithë Shtetet e Bashkuara për të protestuar ndaj Presidentit kinez Hu Gjintao i cili është përpjekur dhe nuk ka arritur të bindë botën se Kina është e hapur dhe demokratike. Sundimi i tij i dhunshëm në Tibet dhe shkeljet ndaj vetë popullsisë së tij kineze tregojnë se Kina në fakt mbetet një shtet i pandryshuar shtypës dhe autoritar”.

Ligjvënësit republikanë i kanë kërkuar Presidentit Obama ta ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut në bisedimet me zotin Hu.

“Populli kinez duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara janë përkrah tyre në luftën për liri dhe demokraci. Kështuqë e inkurajoj Presidentin Obama që të ngrejë çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë së besimit jo vetëm në takime private por edhe me deklarata publike”.

Dita e sotme e aktiviteteve të vizitës zyrtare do të përfundojnë me një darkë shtetërore presidenciale në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG