Lidhje

Presidenti kinez Hu viziton SHBA, përpjekje për emërues të përbashkët

  • William Ide

Presidenti kinez Hu viziton SHBA, përpjekje për emërues të përbashkët

Presidenti kinez Hu viziton SHBA, përpjekje për emërues të përbashkët

Presidenti Hu Gjintao ndodhet në Uashington për një vizitë shtetërore që disa analistë politikë thonë se do të jetë më e rëndësishmja në 30 vjet. Marrëdhëniet mes dy fuqive botërore janë bërë gjithnjë e më të ndërlikuara dhe zyrtarët pritet të përpiqen të gjejnë një emërues të përbashkët për mënyrat e konsolidimit të ekonomisë botërorë si edhe të zgjidhin mosmarrëveshjet për çështje që nga Koreja e Veriut e deri tek të drejtat e njeriut dhe vlera e monedhës kineze.

Presidenti i Kinës Hu Gjintao e bëri vizitën e fundit shtetërore në Shtetet e Bashkuara në prill 2006 kur president ishte Xhorxh Bushi.

Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar.

Kina i ka zënë vendin Japonisë si vendi i dytë me ekonominë më të madhe dhe i ka shpëtuar krizës financiare globale pothuajse pa pasoja. Ndikimi ndërkombëtar i Kinës po rritet, ka një forcë ushtarake gjithnjë e më në rritje dhe zëri i saj po ndihet më shumë në arenën botërore.

Viti i kaluar u karakterizua nga lidhje të tensionuara, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini u përplasën për çdo gjë që nga vlera e monedhës së Kinës, tek mosmarrëveshjet tregëtare, të drejtat e njeriut dhe Koreja e Veriut. Shumë çështje janë ende të pazgjidhura dhe analistët thonë se nuk është realiste që të presësh arritje të mëdha gjatë vizitës së zotit Hu në Uashington.

“Në një farë mënyrë suksesi do të ketë të bëjë me përmirësimin e atmosferës. Do të jetë gjithashtu mesazhi për të dyja vendet se nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie antagoniste dhe së ka vend për bashkëpunim dhe se të dyja palët e kuptojnë që kjo është rruga e vetme për të ecur përpara”, thotë eksperti i shkencave politike Kristofer Hjuz i Fakultetit të Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Politike të Londrës. Veçanërisht kur bëhet fjalë për opinionin publik në Kinë, ndjesitë e të cilit janë shumë komplekse, shumë nacionaliste, një rritje e militarizmit në disa zona, duhen bërë përpjekje për ta qetësuar këtë lloj toni. Dhe nga ana e Shteteve të Bashkuara, duhen bërë përpjekje që të ndryshojë perceptimi për Kinën si një kërcënim në rritje”, shton ai.

Ky është pikërisht mesazhi që zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përpjekur të dërgojnë para fillimit të vizitës.

Në një intervistë me gazetën the Washington Post dhe Wall Street Journal, Presidenti Hu theksonte se të dyja palët do të përfitonin nga një marrëdhënie e konsoliduar dhe do të humbnin nga mosmarrëveshjet.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin fuqizimin e Kinës si kërcënim dhe nuk janë të interesuara të kufizojnë rritjen e Pekinit.

“Amerika dhe Kina kanë arritur në një pikë kritike, një kohë kur zgjedhjet që bëjmë, si të vogla edhe të mëdha do të përcaktojnë drejtimin e kësaj marrëdhënieje”.

Një nga drejtimet ku Shtetet e Bashkuara mendojnë se Kina duhet të bëjë më shumë për të përmirësuar marrëdhëniet është tregëtia.

Megjithëse eksportet amerikane në Kinë po rriten, shifrat e shkëmbimeve tregëtare tregojnë se deficiti amerikan me Kinën gjatë vitit të fundit pritet ta kalojë rekordin prej 268 miliardë dollarësh në vit, që ishte vendosur në vitin 2008. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë folur vazhdimisht për rritjen e kërkesës së brendshme në Kinë dhe për krijimin e një mjedisi më të balancuar.

Vizita e zotit Hu do t’i kushtojë një vëmendje të konsiderueshme lidhjeve të biznesit dhe tregëtisë. Ai do të marrë pjesë në një takim drejtuesish biznesi të mërkurën me Presidentin Obama, si edhe do të mbajë të vetmin fjalim politik gjatë vizitës, para nje grupi zyrtarësh qeveritarë dhe udhëheqësish të biznesit.

Presidenti i Dhomës së Tregëtisë Tomas Donohju thotë se ndërsa çëshjta e monedhës do të diskutohet, problem kryesor është një qasje më e madhe tek tregjet kineze.

“Ne do të punojmë për këto çështje me një frymë pozitive. Ne do të këmbëngulim që eksportet amerikane të kënë një shans të drejtë, gjë që do të krijonte vende pune. Unë kam qenë shumë i angazhuar në kërë drejtim dhe mendoj se vizita e zotit Hu do të jetë shumë pozitive”.

Të drejtat e njeriut janë një tjetër fushë ku zyrtarët e Shteteve të Bashkuara shpresojnë të ndryshojnë kahjen e marrëdhënieve. Presidenti Obama pritet ta shtrojë këtë çështje kur të takohet me Presidentin Hu. Po ashtu çështja pritet të dalë në pah kur dy udhëheqësit të mbajnë të mërkurën një konferencë shtypi.

Kina ka reaguar me forcë ndaj dhënies së çmimit Nobel disidentit kinez Liu Shabao dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar për ndërhyrje në punës e saj të brendshme.

Gjatë takimit të nivelit të lartë, presidenti Obama dhe zoti Hu pritet të njoftojnë për rifillimin e dialogut për të drejtat e njeriut mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që u pezullua vitin e kaluar. Takimi u jep zyrtarëve amerikanë një mundësi që të shtrojnë shqetësimet për të burgosurit politikë në Kinë dhe çështje të tjera.

Zoti Hu mbërriti në Uashington të martën vonë dhe do të qëndrojë deri të enjten. Takimet e tij me Presidentin Obama, zyrtarët e qeverisë dhe drejtuesit e biznesit do të mbyllen me një darkë shtetërore. Darka e fundit shtetërore për një udhëheqës kinez u mbajt para 13 vjetësh.

XS
SM
MD
LG