Lidhje

Shqipëri: Presidenti kthen ligjin e plehërave, jo importit


Shqipëri: Presidenti kthen ligjin e plehërave, jo importit
Shqipëri: Presidenti kthen ligjin e plehërave, jo importit


Në Shqipëri presidenti Bamir Topi ktheu sot pas, duke mos e dekretuar, ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve duke kundërshtuar përfshirjen në të, të lejimit të importimit të tyre. Ky ligj u shoqërua me polemika të shumta. Opozita e kundërshtoi duke u shprehur se sipas saj ekziston rreziku që në vend të hyjnë edhe mbetje të rrezikshme. Kundërshti të forta u shprehën edhe nga ambjentalistët. Duke shpjeguar vendimin e tij presidenti saktëson se synimi i ligjit ishte reduktimi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë që prej vitesh përbën një problem të rëndë, ndërsa lejimi i importeve sipas tij binte në kundërshtim me këtë objektiv.

Debati i fortë tre javë më parë kur shumica miratoi vetëm me votat e saj ligjin për mbetjet do të rikthehet në sallë, pas vendimit të sotëm të presidentit Bamir Topi për të mos e dekretuar atë. Kreu i shtetit ka kundërshtuar vetëm pjesën që parashikon importin e mbetjeve duke u shprehur për mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit.

“Qëllimi kryesor i ligjit është marrja e masave të nevojshme dhe të dmosdoshme për menaxhimin e mbetjeve në territorin e republikës së Shqipërisë”, shprehet presidenti, sipas të cilit “krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për minimizimn e mbetjeve ose pakësimin e psojave negative”, saktëson presidenti Topi. Po ashtu, sipas kreut të shtetit “ligji synon pakësimn e buirimeve të mbetjeve, ndërsa lejimi i importeve nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi”.

Në sallën e parlamentit opozita ngriti shqetësimin për pamundësinë e strukturave shqiptare për realizimin e kontrolleve të rrepta që do të parandalonin hyrjen e mbetjeve të rrezikshme. Sipas tyre ekziston rreziku që mafia e mbetjeve, vecanërisht ajo italiane, te mund ta shohe Shqipërinë si një vend ideal për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme.

Por autoritetet e kanë kundërshtuar një arsyetim të tillë. Sipas tyre strukturat e kontrollit në dogana i kanë të gjitha mundësitë për të evituar hyrjen e mbetjeve të rrezikshme.

Ligji për mbetjet parashikon ngritjen e landfilleve, vendeve të posacme të depozitimit të tyre, apo dhe të impianteve për djegien e mbetjeve. Kostoja financiare që rrjedh nga ky ligj është afër 150 milion euro. Tani parlamenti duhet ta hedhë edhe një herë në votë ligjin, pa qenë megjithatë i detyruar që të reflektojë vërejtjet e kreut të shtetit i cili nuk mund ta pengojë më hyrjen e tij në fuqi.

XS
SM
MD
LG