Lidhje

Presidentët Obama e Karzai riafirmojnë angazhimin për një Afganistanin më të fortë

  • Dan Robinson
  • Uashington

Presidenti Barak Obama dhe homologu i tij afgan, Hamid Karzai, folën dje për një front të bashkuar mes dy vendeve, duke thënë se janë të angazhuar për një partneritet strategjik afat gjatë. Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se të dyja palët janë të angazhuara për krijimin e një Afganistani të sigurtë dhe të qëndrueshëm. Presidenti afgan Karzai, pa përmendur akuzat për korrupsion në administratën e tij, pranoi se në Afganistan ekzistojnë çështje shqetësuese si dhe të meta. Bisedimet Obama-Karzai u përqëndruan në luftën kundër al-Kaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste, krijimin e forcave afgane dhe përforcimin e qeverisjes afgane.

Vizita e Presidentit afgan Hamid Karzai dhe një numri ministrash të kabinetit ka pasur për qëllim që të kapërcehen mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit, të cilat mund të dobësojnë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit.

Duke iu referuar atyre që i cilësoi si tensione të marra me mënd, Presidenti Obama tha se disa prej këtyre tensioneve u eksagjeruan. Ai shtoi se të dyja palët janë të angazhuara në arritjen e një objektivi: krijimi i një Afganistani të sigurtë dhe të qëndrueshëm.

"Do të ketë zbprapsje. Herë herë qeveritë tona do të kenë mosmarrëveshje për një taktikë të veçantë. Por jam i bindur se ne kemi një strategji të përbashkët dhe të gjerë, një strategji që shpresoj të mund ta finalizojmë në një deklaratë deri në fund të vitit".

Megjithëse nuk u përmen direkt korrupsioni në Afganistan, shqetësim ky i madh i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate, Presidenti Karzai e pranoi se ekzistojnë çështje shqetësuese si dhe të meta në vendin e tij. Bisedimet me Presidentin Obama, tha ai, rezultuan në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe, që i kanë qëndruar kohës.

"Pika kryesore është se marrëdhëniet tona janë shumë më të forta sot se më parë. Ky është një mesazh pozitiv që do t’i transmetoj popullit afgan".

Gazetarët u bënë pyetje të dy udhëheqësve rreth rolit të Pakistanit, lidhjeve mes talebanëve me bazë në Pakistan dhe grupeve të tjera si dhe stabilitetit në Afganistan.

Presidenti Obama tha se është i inkurajuar nga bashkëpunimi i qeverisë së Pakistanit dhe shtoi:

"Pakistanit do t’i duhet një farë kohe. Edhe kur ekziston vullneti i mirë, duhet të gjehen mënyrat për t’iu kundërvënë me efektivitet ekstremistëve që ekzistojnë në zonat, që nuk janë nën kontrollin e plotë të qeverisë së Islamabadit".

Presidenti Obama tha se siguria e Afganistanit dhe Pakistanit janë të ndërlidhura. Ai shtoi se sovraniteti i Afganistanit, integriteti territorial, kushtetuta dhe populli afgan duhet të respektohen nga vendet fqinje.

Lidhur me çështjen sensitive të viktimave civile në Afganistan, të dy udhëheqësit tha se ata diskutuan gjatë rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që Presidenti Karzai theksoi se ishte bërë përparim i konsiderueshëm.

Presidenti Obama shprehu përsëri besimin se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë tërheqjen nga Afganistani në korrik të vitit të ardhshëm, por ai theksoi se angazhimi amerikan në Afganistan do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG