Lidhje

Presidenti Obama bën fushatë për Aktin e Punës në shtetin Ohajo

  • Kent Klein

Presidenti Obama bën fushatë për Aktin e Punës në shtetin Ohajo

Presidenti Obama bën fushatë për Aktin e Punës në shtetin Ohajo

Presidenti Barak Obama vazhdoi të martën përpjekjet e tij për të shtuar mbështetjen e publikut për planin e tij për stimulimin e ekonomisë amerikane dhe lehtësuar papunësinë. Sikurse njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein nga Shtepia e Bardhë, presidenti e dërgoi fushatën në shtetin Ohajo, i cili mund të jetë i rendësishëm për rizgjedhjen e tij.

Presidenti Obama foli në një tubim prej afro 3 mijë njerëzish duke kërkuar miratimin e Aktit të Punës.

“Ky është një plan që bën dy gjëra. Hapë vende pune për njerëzit dhe u kursen paratë punonjësve amerikanë.”

Takimi u zhvillua në kryeqytetin e Ohajos dhe qytetin më të madh të atij shteti, Kolumbus, në një shkollë të mesme të restauruar kohët e fundit. Zoti Obama përmendi pjesën e planit që kërkon shpenzime për ndërtimin dhe rinovimin e shkollave publike në vend.

“Ka projekte konstruksioni si ky në mbarë vendin të cilat janë gati të fillojnë. Ka miliona ndërtues të papunë që po kërkojnë punë. Ndaj pyetja ime për Kongresin është: Për çfarë po presim?”

Plani i presidentit prej 447 miliard dollarësh për punën përballet me kundërshtimin e republikanëve dhe mbështetje të pasigurtë nga demokratët në Kongres. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Miç Mekonell, thotë se plani për vendet e punës nuk është serioz dhe është hartuar më shumë lidhur me synimet e rizgjedhjes së zotit Obama sesa trajtimin e problemeve ekonomike të vendit. Ai po ashtu shprehu dyshime nëse plani mund të funksiononte.

“Në realitet, e gjithë ajo që po bën është se po propozon ide të së kaluarës, që synojnë t’u mbushin mendjen njerëzve se një zgjidhje e përkohëshme është faktikisht e përhershme dhe se do të krijojë vende të përhershme pune dhe pastaj i sfidon republikanët që të votojnë kundër tij.”

Senatori demokrat Riçard Durbin e mbrojti planin e presidentit, duke thënë se do të ndihmojë ekonominë.

“Nuk mendoj se udhëheqësi republikan po tregohet i drejtë duke e quajtur planin ide të përsëritur. Mendoj se është një plan i thurur me kujdes që të nxisë ecjen përpara të ekonomisë. Ajo çfarë e shqetëson udhëheqësin republikan është se Presidenti Obama do të paguajë për planin.”

Disa aspekte të planit do të financohen përmes shtimit të taksave për amerikanët e pasur, çfarë kundërshtohet ashpër nga republikanët. Ligjvënësit kryesorë republikan thonë se nuk do ta miratojnë të gjithë planin, por do të shqyrtojnë miratimin e disa pjesëve.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti do të jetë i hapur që të nënshkruajë çdo pjesë të planit të miratuar nga Kongresi.

Disa demokratë e kanë kritikuar presidentin se nuk është treguar agresiv sa duhet në luftën e parimeve të Partisë Demokrate. Mbështetja publike për presidentin Obama është më e ulta ndonjëherë dhe anketat e opinionit publik tregojnë se disa nga votuesit që e mbështetën atë në vitin 2008 tani po konsiderojnë të votojnë për një kandidat republikan për president.

Vizita e së martës në Ohajo, është e dyta e të paktën tre udhëtimeve që po bën presidenti për të promovuar planin e tij në shtetet kryesore, të cilat janë shpesh vendimtare për zgjedhjet. Javën e kaluar, ai mbajti një fjalim të ngjashëm në Virxhinia, dhe një fjalim i tretë është caktuar të mbahet nesër në Karolinën e Veriut.

Ohajo është gjithashtu edhe shteti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër. Para Ohajos, zoti Obama mbajti një fjalim ekonomik në shtetin Virxhina të republikanit numër dy të Dhomës së Përfaqësuesve, Erik Kantor.

XS
SM
MD
LG