Lidhje

Presidenti Obama bën thirrje për durim lidhur me rimëkembjen ekonomike


Presidenti Obama bën thirrje për durim lidhur me rimëkembjen ekonomike
Presidenti Obama bën thirrje për durim lidhur me rimëkembjen ekonomike

Presidenti Obama përsëri ka nisur fushatën për të gjetur mbështetje për nismat e tij ekonomike. Ai vizitoi sot një shkollë të mesme në Manchester të shtetit New Hampshire. Papunësia në Amerikë është sjellë rreth masës 9 përqind prej disa muajsh ndërkohë që mbështetja publike për presidentin ka rënë. Shumë ekspertë politikë mendojnë se ekonomia do të jetë çështja kryesore që do të përcaktojë nëse presidenti do të rizgjidhet vitin që vjen. Zoti Obama u tha të pranishmëve në Manchester se përpjekjet e tij për ekonominë do të kenë sukses por jo të menjëhershëm.

“Do të duhet kohë për të rindërtuar një ekonomi që sjell siguri për klasën e mesme dhe rinovon shanset për ata që po përpiqen të arrijnë klasën e mesme. Do të duhet kohë për të rindërtuar një ekonomi që nuk bazohet në transferimin e vendeve të punës jashtë vendit dhe vakumin taksativ apo marrëveshjeve të rrezikshme financiare, por një ekonomi që është ndërtuar të funksionojë.”

Apeli i presidentit vjen një ditë pasi komisioni special i Kongresit dështoi të bjerë dakord për mënyrat e shkurtimit të defiçitit buxhetor.

Republikanët në opozitë dhe disa ekspert politik e kritikuan zotin Obama për mos përfshirjen e tij më të madhe për të nxitur superkomisionin drejt një marrëveshjeje.

Por të martën, presidenti kritikoi pakicën republikane në Senat, duke goditur ata me zemërim për hedhjen poshtë të pjesëve kryesore të legjislacionit të tij për vendet e punës.

“Ata madje refuzuan të debatonin rreth tij. 100 përqind e republikanëve e kundërshtuan atë edhe pse pothuajse dy të tretat e amerikanëve mbështetën idetë në këtë legjislacion..demokratë, republikanë dhe të pavarur. Asnjë republikan në Washington nuk ishte i gatëshëm të thoshte se është gjëja e duhur për të bërë, asnjë.”

Zoti Obama i bëri thirrje Kongresit që të votojë javën e ardhëshme për të zgjatur shkurtimin e taksave që janë caktuar të skadojnë në fund të dhjetorit. Republikani më i lartë në Kongresi, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, tha se partia e tij ende është e gatëshme të diskutojë për mbështetjen e legjislacionit.

Shteti i vogël New Hampshire me 10 janar do të jetë skenë e një prej votimeve të para në garën republikane për fushatën presidenciale të vitit që vjen.

Pritet që kandidatura e zotit Obama të mos kundështohet nga partia e tij. Por, New Hampshire mund të bëhet një prej të quajturave “shtete betejash” që do të jetë kryesore për fitoren e zgjedhjeve kombëtare.

XS
SM
MD
LG