Lidhje

Presidenti Obama dhe Sekretari Gajtnër, optimistë rreth shkurtimit të defiçitit

  • Kent Klajn

Presidenti Obama dhe Sekretari Gajtnër, optimistë rreth shkurtimit të defiçitit

Presidenti Obama dhe Sekretari Gajtnër, optimistë rreth shkurtimit të defiçitit

Presidenti Barak Obama dhe Sekretari i Thesarit Timothi Gajtnër po mundohen të sigurojnë tregjet ndërkombëtare se demokratët dhe republikanët mund të bien dakord në mënyrat për shkurtimin e defiçitit afatgjatë amerikan. Sikurse na njeh materiali në vazhdim, aftësia e dy palëve për të arritur këtë mund të ndikojë tek vlerësimi i kreditimit për qeverinë.

Presidenti Obama thotë se shqetësimet se grindjet mes demokratëve dhe republikanëve do të pengojnë arritjen e një marrëveshje për reduktimin e defiçitit, janë të ekzagjeruara.

“Duket se u kushtohet më shumë vëmendje konflikteve dhe mosmarrëveshjeve tona sesa marrëveshjeve. Mënyra më e lehtë për të dalë në televizion është të fyesh dikë. Nëse thua diçka të rëndë për dikë, kjo bën që të ofrohet ekrani i televizionit. Por të thuash diçka të mirë për dikë, kjo nuk është intriguese për median dhe nuk përbën lajm.”

Presidenti foli të martën në një kolegj në afërsi të Uashingtonit. Të hënën, agjencia S&P që vlerëson kreditimin, paralajmëroi se qeveria amerikane mund të humbasë vlerësimin e lartë të kreditimit gjatë dy viteve të ardhshme nëse nuk arrihen përparime në shkurtimin e defiçitit të buxhetit federal.

Zyrtarët e agjencisë S&P janë të shqetësuar se vazhdimi i refuzimit nga të dy partitë për të arritur kompromis mund të çojë në dështimin për të reduktuar defiçitin amerikan, i cili parashikohet të shkojë në 1,5 trilion dollarë këtë vit.

Zoti Obama dhe ligjvënësit republikanë janë dakord se duhen shkurtuar rreth 4 trilion dollarë nga defiçiti gjatë 10 apo 12 viteve të ardhshme. Por presidenti thotë se të dy palët duhet të gjejnë pikat e përbashkëta ku bien dakord.

“Ndodh rrallë kur Uashingtoni thotë se kjo çështje është problematike, të gjithë janë dakord mbi këtë, dhe të gjithë janë dakord rreth asaj sa duhet bërë për të zgjidhur problemin. Pyetja kryesore që i duhet dhënë përgjigje është se si do ta bëjmë këtë.”

Një arsye për optimizëm, thotë presidenti Obama, është puna e të ashtuquajturve “grupi i gjashtëshes”, një grup senatorësh të të dy partive që po punojnë për një kompromis për buxhetin. Presidenti thotë se përpjekjet e tyre çuan tek marrëveshja e fundit për buxhetin për pjesën e ngelur të vitit.

“Ne patëm një fillim të mirë disa javë më parë, kur të dy partitë arritën kompromisin për të shkurtuar shpenzimet, por gjithashtu për të vazhduar funksionimin e qeverisë dhe mbajtur investime jetësore në gjërat që na interesojnë.”

Sekretari i Thesarit Timothi Gajtnër ka dhënë gjithashtu intervista me shpresën për të ulur shqetësimet rreth bllokimit të buxhetit. Ai tha për kanalin Bloomberg News se marrëveshja përfundimtare do të dërgonte një mesazh pozitiv ndaj tregjeve botërore.

“Kam besim se tani do të kemi një shans që të miratojmë kompromisin e arritur. Dhe ajo për të cilën biem dakord është rëndësia e caktimit të objektivave për të kursyer, për reduktimin e defiçitit, për një kohë të caktuar me kufizime të zbatueshme. Sepse mesazhi që i duhet dërguar botës është se Uashingtoni do t’i rikthehet stilit të jetës së vet.”

Nënpresidenti Xho Bajdën do të drejtojë një takim me udhëheqës demokratë dhe republikan të Kongresit më datën 5 maj, për të filluar punën për planin e reduktimit të defiçitit afatgjatë. Shqetësimet ekonomike kanë ulur mbështetjen e publikut për punën e presidentit. Anketa e fundit e opinionit publik nga ABC dhe gazeta The Washington Post, tregon se 47 përqind e amerikanëve të anketuar mendojnë se presidenti po bën një punë të mirë, ndërkohë që 50 përqind kanë mendim të kundërt.

XS
SM
MD
LG