Lidhje

Presidenti Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bisedojnë rreth Libisë


Presidenti Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bisedojnë rreth Libisë
Presidenti Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bisedojnë rreth Libisë

Presidenti Barack Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-mun u takuan në Shtëpinë e Bardhë të hënën për bisedime që u mbizotëruan nga situata në Libi. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, gjithashtu mori pjesë në diskutime dhe foli para gazetarëve.

Takimi u zhvillua ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësi shtesë për t’u përballur me gjakderdhjen në Libi, ku forcat ushtarake besnike ndaj udhëheqësit Moamer Gadafi po luftojnë me opozitën.

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit të zhvilluar në zyrën ovale mes Presidentit Obama dhe Sekretarit të Përgjithshëm Ban, ambasadorja Rice përmendi rezolutën që Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi gjatë fundjavës.

E miratuar njëzëri, rezoluta i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve që të trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Libi si dhe përfshin ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e pasurive për udhëheqësit e Libisë dhe një embargo armësh.

“Këto sanksione dhe mekanizmat e llogaridhënies duhet të shtyjnë të gjithë anëtarët e regjimit libian të mendojnë për zgjidhjen që kanë para tyre. Të shkelin të drejtat e njeriut dhe të mbahen përgjegjës apo të ndalojnë dhunën dhe të respektojnë thirrjet e popullit të Libisë për ndryshime. Nuk mund të menjanohet kjo zgjidhje kritike.”

Zonja Rice tha se të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të angazhuar që sanksionet të hyjnë në punë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo përsëriti thirrjen e presidentit Obama që zoti Gadafi të largohet për të parandaluar gjakderdhjen e mëtejshme.

Ambasadorja Rice iu përgjigj komenteve të udhëheqësit libian në një intervistë me gazetarë të huaj në Tripoli, në të cilën ai përsëri nuk pranoi të largohej, duke thënë se të gjithë libianët e duan atë dhe siguroi se al-Kaida fshihet prapa opozitës.

“Kjo është çmenduri. Kur ai qeshë teksa flet me gazetarët amerikanë dhe ndërkombëtarë e në anën tjetër masakron popullin e vet, ai vetëm sa tregon sesa i paaftë është për të udhëheqëur dhe sa i shkëputur është nga realiteti.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha përsëri të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përpjekje të afrohen me pjesëtarët e opozitës libiane, të cilët po punojnë për të formuar një qeveri që respekton të drejtat e njeriut dhe i plotëson aspiratat e popullit të Libisë. Ai i quajti të parakohshme spekulimet në lidhje me njohjen zyrtare të ndonjë fraksioni të caktuar të opozitës.

Kur u pyet për mundësinë që Moamer Gadafi të largohej nga vendi, zoti Carney dha këtë përgjigje:

“Ajo do të ishte një alternativë e shpejtë dhe do të përputhej me dëshirën tonë që Gadafi të dorëzojë pushtetin. Ne jemi më të interesuar që të përfundojë trajtimi që i bën popullit, që të marrë fund dhuna kundër popullit të Libisë. Dhe në qoftë se largimi nga vendi është një mundësi e shpejtë për t’i dhënë fund dhunës, ne do ta mbështesnim atë. Por megjithatë, Gadafi dhe të tjerët do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk japin shpjegime se si mund të ndodhë kjo, se me kë mund ta ketë biseduar këtë alternativë presidenti Obama ose se ku do mund të shkonte zoti Gadafi.

Zoti Carney tha se Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare nuk po përpiqen të arsyetojnë me udhëheqësin libian më shumë sesa ta bëjë të qartë për atë dhe njerëzit që ka përreth se cilat janë rrugëdaljet e tyre përballë opozitës së bashkuar ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë dhe ambasadorja Rice vunë në dukje edhe njoftimin e së hënës të Departamenti amerikan të Thesarit për ngrirjen e pasurive libiane në Shtetet e Bashkuara me vlerë rreth 30 miliard dollarë.

XS
SM
MD
LG