Lidhje

Presidenti Obama: Diplomacia mbetet zgjidhja e preferuar ndaj Iranit


Presidenti Barack Obama rikonfirmoi angazhimin e tij se të gjitha alternativat janë të disponueshme, përfshirë edhe atë ushtarake, kur bëhet fjalë për parandalimin e Iranit që të zotërojë një armë bërthamore.

Por ai tha sot në Uashington, në takimin e Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike, se ai preferon ta zgjidhë këtë çështje me mjete diplomatike.

Presidenti Obama u tha anëtarëve të këtij grupi me ndikim se tashmë po flitet shumë rreth mundësisë për t’i shpallur luftë Iranit. Ai tha se nga diskutime të tilla përfiton vetëm Teherani, duke ngritur çmimet e naftës, nga e cila qeveria iraniane varet për të financuar programin e saj bërthamor.

Këtë fjalim zoti Obama e mban në një kohë që janë shtuar shumë shqetësimet nëpër botë rreth programit bërthamor të Iranit dhe rreth një sulmi të mundshëm nga ana e Izraelit. Kjo situatë pritet të mbizotërojë bisedimet e presidentit Obama me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu nesër në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG