Lidhje

Presidenti Obama fillon fushatën për zgjedhjet presidenciale

  • Xhim Mëllon

Presidenti Barak Obama fillon zyrtarisht më 5 maj fushatën presidenciale me tubime në dy shtete të rëndësishme për zgjedhjet, Ohajo dhe Virxhinia. Gara mes zotit Obama dhe rivalit të tij republikan, ish-guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney praktikisht ka filluar. Korrespondenti Jim Malone njofton:

Kanë mbetur rreth gjashtë muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Strategjia republikane për të larguar nga pushteti Presidentin Obama është bërë mëse e qartë, ata duan që votuesit të përqendrohen në problemet ekonomike gjatë administratës Obama.

Pothuajse të gjithë rivalët e zotit Romney janë tërhequr nga gara dhe ish-guvernatori i Masaçusetsit tani duket se e ka të garantuar emërimin e partisë së tij në gusht. Zoti Romney pritet që brenda pak javësh të sigurojë numrin minimal të delegatëve që i duhen për të marrë këtë emërim.

Tani kandidati republikan e ka përqendruar vëmendjen tek Presidenti Obama dhe po u premton amerikanëve forcimin e ekonomisë nëse zgjidhet në nëntor:

“Ata që kanë ëndrra mund të thurin ëndrra edhe më të mëdha, pronarët e bizneseve do të fillojnë të kërkojnë njerëz për punë. Këtë herë do i bëjmë gjërat si duhet”.

Analistët thonë se është pak a shumë e sigurtë që ekonomia do të jetë tema vendimtare në zgjedhjet e nëntorit. Fushata ka gjasa të nxjerrë në pah dallimet mes dy kandidatëve për sa i përket rolit dhe përmasave të qeverisë federale.

Zoti Romney ka premtuar shkurtime të mëdha në shpenzimet qeveritare, ndërsa presidenti zotohet që t’i shfrytëzojë programet qeveriare për të nxitur rritjen ekonomike:

“E kam mbajtur këtë premtim dhe vazhdoj ta kem mendjen tek mirëqënia juaj. Vazhdoj të kem besim tek ju dhe nëse bashkoheni me mua, ne do t’i tregojmë botës përse Amerika është vendi më i madh në botë”.

Ndër ata që po e ndjekin me vëmendje këtë fushatë është Ken Duberstein, i cili ka qenë shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Presidentit Regan në vitet 1980. Ai parashikon një garë të fortë, rezultati i së cilës do të varet nga dallimet që shohin votuesit mes arritjeve të Presidentit Obama dhe premtimeve të zotit Romney:

“Nëse këto zgjedhje do të jenë një referendum mbi këto 3 vjet e gjysmë të Presidentit Obama, përgjithësisht mbi gjendjen e ekonomisë, Guvernatori Romney ka një shans të mirë të zgjidhjet president. Nëse zgjedhjet janë një referendum mbi punën e Partisë Republikane dhe të kaluarën politike të zotit Romney, atëherë Presidenti Obama ka shanse të sigurojë një mandat të dytë”.

Zotit Romney i duhet të bashkojë Partinë Republikane pas një fushate të vështirë, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e krahut konservator të partisë.

Por kandidatit republikan i duhet të përqendrohet tani edhe tek votuesit e moderuar në mes të spektrit politik, të cilët luajnë një rol kyç në përcaktimin e fituesit kur ka një garë të fortë presidenciale.

Shumica e anketave tregojnë se presidenti ka një epërsi të vogël mbi zotin Romney. Por ekspertët vërejnë se avantazhi i zotit Obama nuk është shumë i madh, sidomos duke pasur parasysh që ai është presidenti aktual, dhe mund të fashitet nëse votuesit i gjykojnë negativisht ritmet e rimëkëmbjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG