Lidhje

Presidenti Obama mban një fjalim para Kongresit amerikan

  • Dan Robinson

Presidenti Obama mban një fjalim para Kongresit amerikan

Presidenti Obama mban një fjalim para Kongresit amerikan

Presidenti Barak Obama do të mbajë sonte një fjalim para të dy dhomave të Kongresit për të bërë të njohur një nismë për krijimin e vendeve të reja të punës. Zoti Obama do të kërkojë bashkëpunimin e republikanëve të opozitës në një Kongres të përçarë, i cili u ka bërë sfidë politikave ekonomike të presidentit.

Disa elementë kyç të fjalimit të presidentit për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës u janë dhënë tashmë mjeteve të shtypit. Bëhet fjalë për 300 miliardë dollarë në shkurtime taksash dhe shpenzimesh qeveritare, që synojnë të krijojnë kushtet për krijimin më të shpejtë të vendeve të punës. Ka të ngjarë që zoti Obama do të kërkojë mbajtjen në fuqi të ligjeve për shkurtimin e taksave, do të propozojë projekte për përmirësimin e infrastruktures dhe ndërmarrjen e hapave për të ndihmuar qeveritë lokale dhe shtetërore në vështirësi financiare. Mes masave për të nxitur hapjen e vendeve të punës, presidenti Obama pritet të bëjë thirrje për zgjatjen e përfitimeve për të papunët dhe të propozojë nisma të reja taksash për bizneset e vogla.

Zoti Obama thotë se shpreson që republikanët do ta mbështesin planin e tij. Por analistët politikë shikojnë një arsye tjetër: ta tërheqë Kongresin që të mbajë më shumë barrë politike për krijimin e vendeve të punës si dhe përgjegjësinë nëse politikanët nuk veprojnë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni tha se presidenti do ta bëjë të qartë sonte se planet e tij janë mbështetur nga të dyja partitë në të kaluarën.

Ndërkohë, republikanët vazhdojnë të kritikojnë arritjet e presidentit në fushën e ekonomisë, si për shembull udhëheqësi republikan në Senat, Mitch McConnell:

"Presidenti mund të përpiqet të fajësojë për problemet ekonomike kundërshtarët e tij, paraardhësit e tij, ose katastrofat natyrore. Por në fund të fundit, ashtu siç e ka thënë edhe vetë, presidenti mban përgjegjësi se çfarë ndodh gjatë administrates së tij".

Udhëheqës demokratë me peshë në Kongres duan që zoti Obama të paraqesë propozime sa më të mëdha që është e mundur. Edhe sindikatat punëtore, që e mbështesin atë, i kanë bërë të njëjtën thirrje zotit Obama, i cili foli në Detroit me rastin e Ditës së Punës këtë të hënë:

"Kemi punë për të bërë dhe punonjësit janë gati ta bëjnë atë. Sindikatat punëtore janë me mua, bizneset janë me mua. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Kongresit. Le ta kthejmë Amerikën përsëri në punë".

Mbetet për t’u pare nëse Kongresi tepër i përçarë, i cili përballet me vendime të vështira deri në fund të vitit lidhur me reduktimin e borxhit dhe të deficitit, do të jetë në gjendje të veprojë për planin që presidenti do të paraqesë sonte.


XS
SM
MD
LG