Lidhje

Presidenti Obama i bashkohet fushatës së zonjës Clinton

  • Richard Green

Presidenti Barack Obama dhe dikur ish-rivalja Hillary Clinton kanë bashkuar forcat ndërsa zonja Clinton përpiqet të marrë Shtëpinë e Bardhë dhe presidenti aktual përpiqet të garantojë se politikat e kësaj administrate do të vazhdojnë edhe përtej mandatit të tij. Fushata e zonjës Clinton ka mbetur në hije nga skandali lidhur me përdorimin e emailit privat ndërsa drejtonte politikën e jashtëme amerikane. Ajo vazhdon të ketë vlerësime negative në shumicën e anketave.

Fjalimi i zotit Obama të martën para një turme të madhe dhe të zëshme në Sharlote të Karolinës së Veriut ishte plot pasion për ish sekretaren e tij të shtetit.

“Ju do të keni një zgjedhje shumë të qartë mes dy vizioneve krejt të kundërta në rrugën që do të ndjekë Amerika. Në të vërtetë nuk është zgjedhje mes së majtës dhe të djathtës apo demokratëve dhe republikanëve, kjo është zgjedhje nëse do të kapemi pas së shkuarës imagjinare apo do të shkojmë drejt së ardhmes, nëse do të kemi një Amerikë që funksionon për të gjithë apo vetëm për disa njerëz.”

Zoti Obama dhe zonja Clinton mbajtën fjalime ku bashkuan politikat dhe vizionet për të ardhmen.

“Mbi të gjitha, ne do të çojmë më tej vizionin që Presidenti Obama ka mbrojtur gjithmonë. Një vizion për të ardhmen ku të bëjmë gjëra të mëdha sëbashku, jo si shtete republikane apo demokrate por si Shtetet e Bashkuara”, tha kandidataja e pritshme demokrate Hillary Clinton.

Aktualisht, presidenti gëzon një nivel të lartë mbështetjeje në anketat e opinionit dhe përkrahja e tij pritet t’i japë zonjës Clinton një shtytje për të cilën ajo ka mjaft nevojë. Presidenti Obama iu bashkua fushatës së zonjës Clinton vetëm disa orë pasi drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, njoftoi se kjo agjenci nuk do të japë rekomandime që zonja Clinton të përballet me akuza kriminale mbi çështjen e emailave, por e kritikoi atë dhe stafin e saj se kanë treguar pakujdesi të jashtëzakonshme në trajtimin e informacioneve të klasifikuara.

XS
SM
MD
LG