Lidhje

Presidenti Obama i dërgon një mesazh me tone më të forta udhëheqjes egjiptiane

  • Dan Robinson

Presidenti Obama i dërgon një mesazh me tone më të forta udhëheqjes egjiptiane

Presidenti Obama i dërgon një mesazh me tone më të forta udhëheqjes egjiptiane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, po i bën thirrje qeverisë egjiptiane të shprehë qartë strategjinë e saj drejt në demokracie të besueshme dhe reale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon se Shtëpia e Bardhë ka transmetuar një mesazh të ri e më të fortë, ndërkohë që ai dhe këshilltarët e tij po ndjekin me vemendje zhvillimet pasi Presidenti Hosni Mubarak nuk pranoi të largohet nga pushteti.

Presidenti dhe administrata e tij filluan dje ditën optimistë pas lajmeve që morën nga zyrtarët egjiptianë në Kajro se Presidenti Mubarak do të njoftone largimin nga posti, duke plotësuar kështu kërkesat e dhjetra mijëra protestuesve që kanë mbushur rrugët e Egjiptit.

Në fjalën që mbajti në shtetin e Miçiganit, zoti Obama i vuri theksin “momentit të transformimit” që ai tha se po udhëhiqej nga një brez i ri egjiptianësh, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin një kalim të rregullt të mirëfilltë në demokraci.

"Ata kanë dalë në numër jashtëzakonisht të madh, duke përfaqësuar të gjitha grupmoshat, por janë të rinjtë që janë vënë në krye, një brez i ri, brezi juaj, i cili do që zëri i tij të dëgjohet”.

Pasi pa zotin Mubarak duke mbajtur fjalim, kur Presidenti Obama po kthehej me avionin e tij në Uashington, me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ai shkoi menjëherë në takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Optimizmi i mëparshëm i Presidentit Obama u kthye më vonë në një ton më të fortë pas fjalimit të Mubarakut. Qeveria egjiptiane, tha zoti Obama, nuk po shfrytëzon rastin për të përcaktuar një “strategji të besueshme, konkrete dhe të palëkundur drejt një demokracie të vërtetë.”.

Duke thënë se shumë egjiptianë “nuk janë të bindur se qeveria është serioze për një kalim të mirëfilltë në demokraci”, presidenti u bëri thirrje udhëheqësve egjiptianë t’i flasin hapur popullit të tyre dhe botës”.

Dje, Presidenti Mubarak tha se mbështeste ndryshimet kushtetuese dhe një plan veprimi drejt zgjedhjeve të drejta në shtator të këtij viti, por refuzoi të jepte dorëheqjen, megjithiëse i delegoi disa kompetenca nënpresidentit Omar Suleiman.

Ambasadori i Egjiptit në Shtetet e Bashkuara, Sameh Shukri, tha në televizionin amerikan se zoti Mubarak i ka kaluar të gjitha kompetencat ekzekutive zotit Suleiman, i cili është de fakto president me të gjitha kompetencat presidenciale në bazë të kushtetutës.

Po ashtu dje, Presidenti Obama nuk bëri thirrje specifikisht për dorëheqjen e Presidentit Mubarak, por përsëriti qendrimin amerikan se vetëm populli egjiptian mund të përcaktojë të ardhmen e tij politike.

Duke përsëritur thirrjen drejtuar të gjitha palëve për përmbajtje, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin “parimet themelore” dhe “të drejtat universale” të popullit egjiptian në rrugën e tij drejt “ndryshimeve të pakthyeshme politike” dhe negociatave të mirëfillta politike me pjesëmarrjen e opozitës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

XS
SM
MD
LG