Lidhje

Presidenti Obama, kandidati republikan Romney përpjekje për të tërhequr votuesit


Kandidati republikan për president Mitt Romney po e drejton vëmendjen te zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit pas fitoreve të arritura dje në 5 shtete për garat brenda partisë republikane. Ai është tani në një avantazh të madh ndaj dy pretendentëve të tjerë, Newt Gingrich dhe Ron Paul. Ndërkohë, Presidenti Barack Obama ishte mbrëmë në një program televiziv argëtues për të folur mbi çështje të arsimit.

Në programin “Late Night with Jimmy Fallon", zoti Obama theksoi rëndësinë për të mbajtur të pandryshuara normat e interesit për kreditë studentore. Episodi u regjistrua gjatë vizitës së zotit Obama në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill.

Presidenti ishte atje për të folur rreth kredive studentore me interes të ulët, në përpjekje për të joshur votuesit e rinj.

Mbrëmë, Senati paraqiti një projektligj që i mban interesat e këtyre kredive në nivelet e tanishme për të ndihmuar studentët me të ardhura të ulta. Projektligji parashikon subvencionimin e kredive në këto nivele edhe për një vit me një kosto prej 5.9 miliardë dollarësh. Sipas vlerësimeve, rreth 15 për qind e amerikanëve, kanë kredi studentore të papaguara.

Zoti Obama gjithashtu bëri shaka me prezantuesin e programit, Jimmy Fallon mbi zotin Romney, rivali i tij i ardhshëm për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

I pyetur nëse e njihte pretendentin republikan, zoti Obama u përgjigj: "E kam takuar, por nuk jemi miq."

Ndërkohë, zoti Romney vazhdon të triumfojë në zgjedhjet paraprake republikane, duke fituar dje edhe në pesë shtete të tjera.

Duke folur mbrëmë në shtetin New Hampshire, zoti Romney vuri në shënjestër presidentin Obama.

"Fushata që bën ai mund të ketë funksionuar në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër. Por jo këtu. Dhe jo tani," tha zoti Romney.



XS
SM
MD
LG