Lidhje

Presidenti Obama kritikon republikanët për pengesën e legjislacionit mbi punën


Gjysëm milioni amerikanë kanë aplikuar për herë të parë për përfitime për të papunët javën e kaluar, thotë një raport i Departamentit të Punës. Ky është numri më i madh që nga nentori dhe rritja e katërt në aplikimet për përfitime për të papunët në pesë javët e fundit.

Presidenti Obama thotë se 60 përqind e vendeve të punës të humbura u përkasin bizneseve të vogla dhe se këto biznese kanë nevojë për ndihmë.

Këto janë bizneset që zakonisht krijojnë shumicën e vendeve të punës në Amerikë. Dhe ky raport, sëbashku me lajmet e mëparshme se papunësia është rritur përsëri, na detyrojnë ne që të veprojmë.

Presidenti tha të enjten se legjislacioni për punën do të bëjë të mundur që më shumë biznese të vogla të marrin hua dhe fonde të tjera të nevojshme për tu zgjeruar dhe shtuar vendet e punës.

Presidenti fajësoi republikanët në opozitë për bllokimin e legjislacionit për synime politike.

Dhe pengesat vazhdojnë ende. Janë këto pengesa që bllokojnë pronarët e bizneseve që të marrin huatë dhe shkurtimin e taksave që kanë nevojë që të lulzojnë. Janë pengesat që po sfidojnë logjikën.

Në një raport tjetër ekonomik, Zyra Buxhetore e Kongresit, tha të enjten se defiçiti buxhetor i qeverisë do të arrijë në 1.3 trilion dollarë këtë vit, më i madhi në 65 vjet.

Po ashtu, një degë rajonale në bankën qendrore amerikane e njohur edhe si Rezerva Federale, tha se indeksi mujor i prodhimin industrial ra në nivelet më të ulëta në pothuajse një vit, çfarë tregon se rimëkembja ekonomike po ngadalësohet.

Një grup privat kërkimor, Conference Board, tha se pret një rritje të ngadaltë ekonomike gjatë gjithë vitit. Megjithatë, thotë grupi, duket se vendi nuk po shkon drejt një rënie tjetër ekonomike.

Presidenti Obama ka thënë se ekonomia amerikane po rritet por jo me shpejtësinë e duhur.

XS
SM
MD
LG