Lidhje

Presidenti Obama mbi tërheqjen e trupave nga Afganistani

  • Andre Nesnera

Presidenti Obama mbi tërheqjen e trupave nga Afganistani

Presidenti Obama mbi tërheqjen e trupave nga Afganistani

President Barak Obama i tha popullit amerikan se ka vendosur të tërheqë 33,000 trupa nga Afganistani, dhe se do t’ua japë vetë këtë mesazh trupave sot. Zoti Obama pritet të takohet me ushtarët e Divizionit të 10-të Malor, një prej njësive të dislokuara më shpesh në Afganistan. Presidenti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës të transmetuar në mbarë botën, se ai dhe këshilltarët e tij më të lartë mendojnë se pika kulmore e luftës po kalon dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po e braktisin qeverinë e Kabulit me tërheqjen e trupave. Në intervistën për Zërin e Amerikës, zoti Obama tha se forcat amerikane do të kenë një prani të gjerë në Afganistan edhe pas tërheqjes së trupave fillestare.

Presidenti dha arsyet përse Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani. Ai tha se situata atje po përmirësohet dhe se tërheqja do të fillojë muajin e ardhshëm.

“Ne duam të tërheqim 10 mijë trupa deri në fund të këtij viti dhe 23 mijë të tjerë deri në fund të verës së vitit të ardhshëm.”

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë një prani të konsiderueshme ushtarake në Afganistan. Ai e kishte marrë vendimin për tërheqjen e trupave pasi ishte konsultuar me krerët ushtarakë amerikanë dhe qeverinë afgane.

“Një nga çështjet kryesore është që të gjejmë balancën e duhur. T’ua bëjmë me dije popullit afgan se ne duam të shohim një Afganistan sovran dhe të sigurt dhe ne mendojmë se sa më shumë përgjegjësi të kenë afganët, aq më mirë do të jetë për të gjithë.”

Presidenti afgan Hamid Karzai muajt e fundit i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s mbi mënyrën e trajtimit të luftës, dhe veçanërisht mbi viktimat civile. Por presidenti Obama tha se zoti Karzai ka të njëjtat synime strategjike si Shtetet e Bashkuara.

“Një qeveri sovrane dhe e sigurt afgane që është në gjendje të përcaktojë fatin e vet dhe që e sheh komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti si një partner të fortë që mbështet aspiratat afgane.”

Presidenti Obama e pranon se në Shtetet e Bashkuara ndjehet një farë lodhjeje nga lufta.

“Nuk ka dyshim se pas gati 10 viteve luftë në Afganistan, numri i viktimave dhe paratë e shpenzuara i kanë lodhur njerëzit.”

Por presidenti tha se beson që populli amerikan do t’i dorëzojë Afganistanit një vend të sigurt që do të qëndrojë si i tillë.

Ndërsa për Pakistanin, presidenti Obama e pranoi se ka tensione mes Uashingtonit dhe Islamabadit, sidomos mbi operacionin e komandove që vranë kreun e al-Kaidës Osama bin Laden.

“Në përgjithësi, Pakistani ka bashkëpunuar me ne në përpjekjet e zbulimit për vënien në shenjestër të personave me interes. Nuk mendoj se ka vend që ka pasur më shumë sulme terroriste se Pakistani.”

Por zoti Obama tha gjithashtu se pakistanezët kanë përgjegjësinë dhe interes të zgjidhin çështjen e elementëve terroristë në territorin e tyre.

XS
SM
MD
LG