Lidhje

Vlerësime të ndryshme për Presidentin Obama në anketat e opinionit publik

  • Jim Malone

Vlerësime të ndryshme për Presidentin Obama në anketat e opinionit publik

Vlerësime të ndryshme për Presidentin Obama në anketat e opinionit publik

Disa anketa të reja të opinionit publik përmbajnë lajme të mira dhe të këqija për presidentin Barak Obama përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Uashington, Jim Malone sjell hollësitë.

Anketa e fundit e organizuar nga Reuters dhe Ipsos tregon se amerikanët janë gjithnjë e më pesimist mbi të ardhmen e vendit. 63 për qind thanë se vendi është në rrugën e gabuar tani, një ngritje prej tre pikësh në krahasim me muajin e kaluar.

Në anketën e fundit të organizuar nga Quinnipiac, 56 për qind e votuesve nuk janë dakord me mënyrën e trajtimit të ekonomisë nga presidenti Barak Obama, ndërsa 38 për qind e mbështesin atë në këtë çështje. Ata janë të ndarë gjithashtu në çështjen nëse presidenti Obama meriton të rizgjidhet, 47 për qind besojnë se ai meriton të rizgjidhet, por grupi tjetër i votuesve përkatësish 47 për qind e tyre nuk janë dakord se ai meriton rizgjedhjen.

Por, ka edhe disa lajme të mira nga anketat e opinionit publik për presidentin. Të dyja anketat tregojnë se votuesit ende mendojnë se ish-Presidentit George W. Bush është më shumë përgjegjës për problemet aktuale ekonomike se sa presidenti Obama. Anketa e organizuar nga Quinnipiac ka arritur në përfundimin se amerikanët i besojnë presidentit më shumë se sa republikanëve të Kongresit në trajtimin e çështjes së ekonomisë, megjithëse diferenca është tepër e ngushtë.

Peter Brown është ndihmës drejtor i Institutit të Anketave në Universitetin Quinnipiac.

“Zgjedhjet presidenciale në të cilat një nga kandidatët pjesëmarrës është në pushtet kanë prirje të jenë si një referendum i kandidatit në pushtet. Gjërat duken mirë për presidentin, por jo edhe aq mirë. Kur i kemi pyetur votuesit nëse ai meriton një mandat të dytë, ata ishin të ndarë rreth kësaj çështje”.

Zoti Obama mori edhe disa lajme të mira nga anketa, kur ai u krahasua me kandidatët e mundshëm republikanë për president vitin e ardhshëm.

Zoti Brown thotë se presidenti ka një epërsi të vogël ndaj ish guvernatori të Masaçusetsit Mitt Romney i cili është në krye të listës së kadidatëve republikanë. Rezultatet e anketës gjithashtu treguan se presidenti Obama ka një avantazh të madh ndaj kongresistes republikane nga Minesota Michelle Bachmann dhe dy kandidatëve të tjerë të mundshëm, ish-guvernatores së Alaskës Sarah Palin dhe Guvernatorit të Teksasit Rick Perry.

“Presidenti Obama mbetet në epërsi dhe është gjithmonë më mirë të jesh përpara në anketat e opinionit publik. Ai është përpara zotit Romni me gjashtë pikë, ky është rezultat i njëjtë me anketën që Quinnipiac organizoi në muajin qershor. Presidenti Obama ka epërsi dyshifrore ndaj guvernatorit Perry, kongresistes Bachmann dhe ish-guvernatores Sarah Palin”.

Sarah Palin thotë se nga fillimi i shtatorit ajo do të njoftojë nëse ajo do të kandidojë për president apo jo. Guvernatori Rick Perry është duke shqyrtuar mundësinë e hyrjes në fushën e kandidatëve republikanë, por nuk ka thënë se kur do ta bëjë publik vendimin e tij.

Sipas anketës së organizuar nga Quinnipiac Mit Romney udhëheq fushatën republikane për president me 25 për qind mbështetje, i pasuar nga kongresistja Michelle Bachmann me 14 për qind, Sarah Palin me 12 për qind dhe Rick Perry me 10 për qind mbështetje. Grupi tjetër i kandidatëve republikanë për president ka regjistruar mbështjetje me gjashtë për qind ose më pak.

Megjithë avantazhin e Presidentit Obama në anketat e fundit të opinionit publik, anketuesi John Zogby tha se rritja e mbështetjes nga publiku që presidenti mori në maj pas vrasjes së udhëheqësit të al-Kaidës Osama Bin Laden është zbehur në masë të madhe, duke përgatitur terrenin për një garë shumë konkurrente për rizgjedhjen e tij vitin e ardhshëm.

“Ai e ka humbur ndikimin e fituar nga vrasja e Bin Ladenit, së paku në planin afatshkurtër. Çështja e papunësisë nuk është duke u përmirësuar. Njerëzit janë shumë të frikësuar. Ai duhet të fitojë përsëri mbështejtjen e votuesve të pavarur dhe në të njëjtën kohë duhet ta kthejë energjinë në bazën e tij që dikur ishte solide dhe në mesin e saj kishte zezakët, hispanikët, të rinjtë dhe kështu me radhë”.

Presidenti gjithashtu mori një lajm të mirë në frontin e fushatës në lidhje me mbledhjen e fondeve. Fushata e tij mblodhi fonde me vlerë 86 milionë dollarë gjatë tre muajve të fundit, ndërsa pretendentët republikanë për president, njoftuan ngritjen e një shume totale prej rreth 35 milionë dollarësh.

Në mesin e kandidatëve republikanë Mit Romney ka ngritur më shumë fonde duke mbledhur më shumë se 18 milionë dollarë në muajt e fundit. Edhe në garën republikane të vitit 2008 Mit Romney kryesonte me sasinë më të madhe të fondeve, por në fund pësoi humbje nga senatori John McCain.

XS
SM
MD
LG