Lidhje

Presidenti Obama nderon shkencëtarë të rinj amerikanë

  • Kent Klein

Presidenti Obama nderon shkencëtarë të rinj amerikanë

Presidenti Obama nderon shkencëtarë të rinj amerikanë

Presidenti Obama priti dje në Shtëpinë e Bardhë një grup shkencëtarësh të rinj. Presidenti njoftoi gjithashtu një sërë hapash të reja për të fuqizuar arritjet e rinisë amerikane në shkenca, në mënyrë që Amerika të rifitojë pozitën e saj dominuese në këto fusha:

Joe Hudy, një sipërmarrës 14 vjeçar demonstron shpikjen e tij – një top me ajër të kompresuar. Kjo ishte një ndër shpikjet që tërhoqën vëmendjen e Presidentit në Panairin Shkencor të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti ftoi Joe dhe disa të rinj të tjerë nga i gjithë vendi të prezantonin produktet e imagjinatës së tyre, përfshirë edhe një objekt për strehim gjatë katastrofave, të shpikur nga Jessica D’Esposito dhe klasa e saj në Indiana, që e mori frymëzimin nga tërmeti në Haiti.

“E pamë sa shumë njerëz kishin nevojë për këtë objekt, prandaj e krijuam. Është shumë i lehtë”.

Shpesh Shtëpia e Bardhë mirëpret atletë të njohur. Por zoti Obama tha se duhen vlerësuar edhe arritjet në shkenca e mësime.

“Nëse ftojmë në Shtëpinë e Bardhë ekipin që fiton kampionatin e futbollit, duhet të ftojmë edhe fituesit e panaireve shkencore”.

Megjithë arritjet e këtyre të rinjve, Amerika ka mbetur pas në matematikë e shkencë krahasuar me vende të tjera të industrializuara.

Për këtë arsye presidenti prezantoi objektiva të reja për ta ndryshuar këtë realitet:

“Synojmë të kemi 1 milion amerikanë të tjerë të diplomuar në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Ky është një objektiv i realizueshëm”.

Për t’i përgatitur këta studentë, Presidenti kërkon 80 milionë dollarë për buxhetin, në mënyrë që të kualifikojë 100 mijë pegadogë të rinj në shkencë dhe teknologji.

Ai njoftoi gjithashtu një nismë prej 22 milionë dollarësh nga organizata dhe individë privatë për të ndihmuar në përgatitjen e personelit arsimor.

Presidenti u tha pjesëmarrësve në panairin e shkencës se ata forcojnë besimin e tij në të ardhmen e vendit:

“Ju më jepni frymëzim. Të rinj si ju janë ata që më bëjnë të besoj se ditët më të mira Amerika i ka ende përpara”.

Presidenti shpreson se këta të rinj dhe të tjerë si ata mund të hapin një kapitull të ri të dominimit të Amerikës në shkencë dhe teknologji.

XS
SM
MD
LG