Lidhje

Presidenti Obama ndeshet me kritika për politikën e imigracionit


Presidenti Obama ndeshet me kritika për politikën e imigracionit
Presidenti Obama ndeshet me kritika për politikën e imigracionit

Presidenti Barak Obama erdhi në fuqi me një mbështetje të gjerë nga hispanikët amerikanë, me premtimin se do ta bënte reformën e imigracionit një përparësi kryesore. Por shumë ligjvënës në Uashington e kundërshtojnë idenë për lehtësimin e kufizimeve mbi imigracionin dhe kërkojnë operacione kundër imigrantëve të paligjshëm.

Qindra aktivistë pro-imigracionit u mblodhën kohët e fundit para Shtëpisë së Bardhë:

“Kemi ardhur këtu për t’i kërkuar të mbajë premtimin që na ka dhënë…”

Premtimi kishte të bënte me reformën pro-imigracionit. Protesta përfshinte votues të zemëruar dhe festime.

Thirrje të tilla kundër deportimit të nënave nuk duket se po e ndihmojnë këtë nënë. Ajo thotë se kur i kishte telefonuar policisë pas një rasti dhune në familje, ajo ishte arrestuar. Tani mund të deportohet.

“Po luftoj se nuk dua të ndahem nga vajza, po luftoj edhe për drejtësi për miliona imigrantë të tjerë.”

Policia ndaloi anëtarin e kongresit Luis Gutierrez nga Ilinoi dhe aktivistë të tjerë gjatë protestës. Gutierrez mbështet reformat e imigracionit, përfshi ndalimin e deportimit të imigrantëve pa dokumente dhe studentëve të universitetit. Këta protestues thonë se më shumë se një milion imigrantë janë dëbuar që nga zgjedhja e presidentit Obama.

Duke folur me aktivistë hispanikë kohët e fundit, presidenti fajësoi republikanët se kanë dështuar të miratojnë reformat e imigracionit.

Analistët politikë thonë se zoti Obama ka nevojë për votuesit hispanikë për të fituar zgjedhjet përsësi në vitin 2012. Por një anketë e Gallupit thotë se përkrahja për të mes hispanikëve ka rënë.

“Shtetet e Bashkuara po deportojnë veteranë dhe kjo nuk është mënyra amerikane.”

Krerët e biznesit në dëshmitë e tyre para kongresit kërkuan gjithashtu reformën e imigracionit. Por interesat e tyre janë më të ngushta. Ata kërkojnë miratimin e vizave për punonjës të huaj që punojnë në teknologji. Ata thonë se Shtetet e Bashkuara po humbin punonjësit më të mirë sepse procesi i imigracionit është mjaft i vështirë.

XS
SM
MD
LG