Lidhje

Presidenti Obama, në Kolumbi për “Takimin e Amerikave”


Presidenti amerikan Barak Obama ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Hemisferës Perëndimore për të mundësuar rritje ekonomike dhe për të garantuar se përfitimet e globalizimit do të ndjehen në të gjitha nivelet e shoqërisë. Zoti Obama e bëri komentin në prag të hapjes së Samitit të Amerikave në Kartagjenë të Kolumbisë.

Lidhur me një tjetër temë që pritet të ngrihet për diskutim gjatë samitit, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kundërshtojnë idenë e legalizimit të lëndëve narkotike. Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos, organizator i takimit si dhe udhëheqës të tjerë të hemisferës perëndimore thonë se legalizimi duhet të shqyrtohet si alternativë përballë përpjekjeve të kushtueshme dhe të paefektshme të luftës kundër drogës.

Në një takim me udhëheqës të korporatave në Kartagjenë, zoti Obama tha se ka ikur koha kur politikat ekonomike hartoheshin në mënyrë të izoluar nga partnerët rajonalë.

Presidenti amerikan Barack Obama është në Kartagjenë të Kolumbisë për Takimin e Nivelit të Lartë të Amerikave, mes 33 udhëheqësve nga Kanadaja, Karaibet dhe Amerika Latine.

Zoti Obama thotë se i ka angazhuar Shtetet e Bashkaura në një "partneritet më të thellë ekonomik" në rajon. Por shton se tregtia në të gjithë hemisferën është vetëm gjysma e asaj që mund të jetë.

Presidenti Obama ka në plan të diskutojë në takimin e nivelit të lartë të Amerikave atë që ai thotë se është një "synim i ri ambicioz" – një qasje universale për energjinë elektrike deri në vitin 2022. Ai thotë se arritja e këtij synimi do të sjellë një "ndryshim të thellë" në jetën e njerëzve dhe bizneseve në gjithë rajonin.

Presidenti Obama mbërriti në kryeqytetin kolumbian dje, ku mori pjesë në një darkë të shtruar nga presidenti kolumbian Juan Manuel Santos për të shënuar fillimin zyrtar të takimit.

Para se të niset për në samit, zoti Obama foli në portin e Tampas, në Florida në lidhje me marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine. Ai tha se më shumë eksportet amerikane tani shkojnë në hemisferën perëndimore se sa në çdo rajon tjetër të botës.

"Të gjithë këtu e dinë sa kritike është kjo pjesë e botës për ekonominë tonë dhe për të krijuar vende pune. Shumë vende në rajon janë në rritje. Vetëm në Amerikën Latine, gjatë dekadës së kaluar, dhjetëra miliona njerëz kanë kaluar nga varfëria në klasën e mesme. Pra, ata janë tani në pozita për të blerë produktet amerikane. "

Ndërsa Presidenti Obama mbetet personalisht popullor në të gjithë rajonin, ai po përballet me pakënaqësinë në rritje nga homologët e tij mbi një numër çështjesh.

Presidenti kolumbian Santos, organizator i takimit këmbëngul se Shtetet e Bashkuara duhet të përqëndrohen më shumë në atë që po ndodh në hemisferë:

"Ne kemi energji, kemi ujë. Ne kemi një kapacitet - ndoshta më të madhin në botë - për të rritur prodhimin e ushqimit në një botë që kërkon ushqim gjithnjë e më shumë. Ne kemi biodiversitetin. Ne gjithashtu kemi një pasuri të rëndësishme:... një popullsi të re. Duhet të kemi parasysh se kjo është ajo që kërkon bota dhe ne punojmë së bashku. Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se interesat e tyre strategjike afatgjata nuk janë në Afganistan apo në Pakistan, por në Amerikën Latine. "

Ndikimi i Uashingtonit mbi Amerikën Latine ka rënë që nga samiti i fundit në vitin 2009, ndërsa rajoni ka shtuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike me ekonomitë në zhvillim si Kina dhe India.

XS
SM
MD
LG