Lidhje

Presidenti Obama ngushëllon vendin për ngjarjen në Arizona

  • Carolyn Presutti

Presidenti Obama ngushëllon vendin për ngjarjen në Arizona

Presidenti Obama ngushëllon vendin për ngjarjen në Arizona

Presidenti Barak Obama bëri thirrje mbrëmë për bashkim ndërsa përpiqej të ngushëllonte amerikanët, vetëm pak ditë pasi gjashtë veta humbën jetën në atentatin kundër një ligjëvënëseje amerikane. Objektivi i sulmit, përfaqësuesja Gabriel Gifords e Arizonës, u plagos në kokë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës na sjell fjalët ngushëlluese të presidentit dhe një përshkrim të gjendjes së tanishme.

Qetësi dhe kurajo janë fjalët që përshkruajnë se si presidenti Obama ngushëlloi komunitetin dhe vendin.

“Ne vajtojmë me ju për të rënët. Bashkohemi në dhimbjen tuaj.”

Të shtunën e kaluar një person i armatosur filloi të qëllonte para një dyqani ushqimor në Tuson, ku përfaqësuesja Gabriel Gifords po takohej me elektoratin. Gjashtë persona pranë saj u vranë, përfshirë një gjykatës federal dhe një vajzë 9-vjeçare.

Disa thonë se qetësimi i një vendi që përjeton dhimbje është sprovë udhëheqësie për një president, dhe një mundësi për t’u lidhur më shumë me amerikanët e zakonshëm. Presidenti Xhorxh W. Bush e bëri këtë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Presidenti Bill Klinton foli pas bombës në Qytetin Oklahoma në vitin 1995. Presidenti Ronald Regan, pas shpërthimit të anijes së hapësirës. Dhe tani presidenti Obama.

“Ne mund të mos jemi në gjendje të ndalojmë të gjitha të këqiat në botë, por mënyra se si sillemi me njëri tjetrin varet nga ne. Pavarësisht nga mangësitë që kemi, ne kemi ndershmëri dhe mirësi, dhe forcat që na ndajnë nuk janë aq të forta sa ato që na bashkojnë.”

Xhered Lafnër akuzohet për atentat ndaj përfaqësueses Gifords. Ky është atentati i parë ndaj një anëtari të kongresit amerikan në më shumë se 30 vjet.

Më herët dje, anëtarët e kongresit i ofruan fjalë gushëllimi koleges së tyre të plagosur dhe pjesëtarit të stafit të saj politik që mbeti i vrarë nga sulmi.

Xhon Bejnër tha:

“Zemrat tona janë të thyera, por jo shpirti ynë.”

Rrugës për në ceremoninë e Arizonës, presidenti Obama ndaloi të shihte zonjën Gifords. Pasi ai u largua, bashkëshorti i saj i tha presidentit se Gifords i hapi sytë për herë të parë.

“Ajo e di se ne e duam. Ajo e di se ne e mbështesim gjatë këtij udhëtimi të vështirë.”

Mjekët hoqën një pjesë të kafkës së Gifords për të lejuar enjtjen e trurit. Ata e pakësuan sasinë e ilaçeve dhe thonë se ajo po merr frymë vetë.

Ky është imazhi i fundit i zonjës Gifords që nga atentati, duke mbajtur dorën e bashkëshortit të saj nga shtrati i spitalit. Një fotografi e thjesht që mban mesazhin e dashurisë për një vend që vajton mbi një akt urrejtjeje.

XS
SM
MD
LG