Lidhje

Presidenti Obama niset për në takimin e dytë të armëve bërthamore


Javën e ardhshme në Seul të Koresë së Jugut zhvillohet takimi i dytë i nivelit të lartë mbi armët bërthamore. Presidenti Barack Obama u nis sot herët nga Uashingtoni për në Korenë e Jugut, ku para takimit do të bëjë edhe një vizitë në zonën e çmilitarizuar mes dy Koreve.

Mbajtja e armëve bërthamore të botës nën kontroll dhe larg duarve të terroristëve janë objektivat kryesore të takimit të Seulit.

Takimi shpreson të bëjë përparim në drejtim të premtimet që udhëheqësit botërorë bënë në takimin e parë të nivelit të lartë mbi armët bërthamore, i cili u zhvillua para dy vjetësh në Uashington.

“Dy dekada pas përfundimit të luftës së ftohtë, ne përballemi me një ironi të ashpër të historisë, rreziku i një konfrontimi bërthamor mes vendeve ka rënë, por rreziku i një sulmi bërthamor është shtuar", tha presidednti Obama në takimin para dy vjetësh.

Presidenti Obama do të jetë mes mbi 50 udhëheqësve botërorë në këtë takim të rëndësishëm në Seul, i cili zhvillohet ndërkohë që Koreja e Veriut kërcënoi se do të ndalë përparimin e bërë drejt çarmatimit bërthamor, madje do të zbatojë muajin e ardhshëm planet për hedhjen e një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Shtetet e Bashkuara thanë javën e kaluar se hedhja e një rakete të tillë nga Pheniani do të pasohej me anullimin e një marrëveshjeje me Korenë e Veriut për ndihma ushqimore në shkëmbim të ndalimit të programeve bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë veprimi.
Pheniani e dënoi takimin e Seulit si një “krim të pafalshëm” dhe një “provokim të rëndë e të patolerueshëm”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se zoti Obama do të zhvillojë bisedime dypalëshe me disa udhëheqës botërorë, mes tyre Presidentin e Kinës, Hu Jintao si dhe udhëheqësit e Kazakistanit, Rusisë, Koresë së Jugut dhe Turqisë. Presidenti Obama ka në plan të takohet edhe me kryeministrin e Pakistanit, Yousuf Raza Gilani për t’i dhënë shtytje mbështetjes për një proces ripartimit me talibanët, i kryesuar nga Afganistani.

Siguria e centraleve të energjisë bërthamore do të jetë gjithashtu një temë e rëndësishme diskutimi në Seul, si pasojë e tërmetit dhe cunamit të 11 marsit të vitit të kaluar, që shkaktojë dëme të mëdha në Fukushima të Japonisë.

XS
SM
MD
LG