Lidhje

Presidenti Obama njofton arritjen e marrëveshjes për deficitin dhe borxhin

  • Dan Robinson

Presidenti Obama njofton arritjen e marrëveshjes për deficitin dhe borxhin

Presidenti Obama njofton arritjen e marrëveshjes për deficitin dhe borxhin

Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit e Kongresit njoftuan mbrëmë vonë se ranë dakord të shkurtojnë fillimisht një trilion dollarë nga buxheti i shpenzimeve federale dhe mbi dy trilionë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm, ndërkohë që lejuan ngritjen e tavanit të borxhit para skadimit të afatit të martën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon se

Presidenti Barak Obama shkoi mbrëmë vonë në sallën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë dhe paraqiti në vija të përgjithëshme marrëveshjen që ende ka nevojë për disa vota të rëndërishme në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Faza e parë e planit parashikon shkurtimin e fillestar prej një trilionë dollarësh, por duke ruajtur investimet për krijimin e vendeve të punës në arsim dhe kërkime. Shkurtimi i shpenzimeve gjatë një dekade do t’i kalojë dy trilionë dollarët.

Presidenti vuri në dukje se procesi i arritjes së marrëveshjes ka qënë i vështirë dhe nuk ishte ai që do të preferonte, por ai i vuri theksin aspektit kryesor të saj, krijimit të një komisioni dy-partiak që do të bënte rekomandime për shkurtime të ndjeshme shtesë për të cilat do të votonte më pas Kongresi.

"Në këtë fazë çdo gjë do të jetë në tavolinë. Të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për këto reforma, shkurtime të mëdha që të dy partitë mund t’i konsiderojnë të papraneshme do të hynë automatikisht në fuqi, në qoftë se ne nuk veprojmë”.

Komisioni do t’i bëjë rekomandimet në muajin nëntor dhe propozimet do t’i paraqiten Kongresit për votim.

“Zgjidhja përfundimtare” për problemin e deficitit, tha zoti Obama, duhet të jetë e balancuar dhe shtoi se amerikanët më të pasur duhet të heqin dorë nga shkurtimet dhe zbritjet e taksave. Ai tha se “ndryshime modeste” duhen bërë edhe në programe të tilla si Medikeri për të siguruar stabilitetin e tyre, qendrim që ai e ka mbajtur gjatë gjithë negociatave për borxhin dhe buxhetin.

Zoti Obama tha se marrëveshja në fjalë i krijon mundësi vendit të shmangë mospagimin e kësteve të borxhit dhe i hap rrugën një “plani të balancuar” para fudit të vitit.

“Më e rëndësishme është se ai na krijon mundësi të shmangim mospagimin e kësteve dhe i jep fund krizës që Uashingtoni i ka shkaktuar pjesës tjetër të Amerikës. Ai siguron githashtu se ne nuk do të jemi në të njejtën situatë krize pas gjashtë, tetë apo 12 muajsh. Madje, ai do të fillojë të largojë renë e borxhit dhe të pasigurisë mbi ekonominë tonë “.

Udhëheqësit demokratë dhe republikanë Heri Rid dhe Miç Mekonëll pranuan se marrëvesha ishte një kompromis i vështirë për anëtarët e partive të tyre, por ajo shmang mospagimin e kësteve të borxhit.

Rid: "E di se kjo marrëveshje nuk do t’u pëlqejë të gjithë republikanëve. Sigurisht që ajo nuk do t’i kënaqë as të gjithë demokratët. Të dy partitë bënë më shumë lëshime nga sa do të dëshironin dhe asnjera palë nuk ariti gjithëçka që shpresonte. Por ky është thelbi i kompromisit”.

Mekonëll: "Ne mund ta garantojmë popullin amerikan sonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për herë të parë në historinë tonë, nuk do të dështojnë në përmbushjen e detyrimeve”.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të duhet të votojnë për marrëveshjen që ajo të marrë formën e projekt-ligjit para se t’i paraqitet për firmë presidentit. Zoti Obama u bëri thirrje të gjithë ligjvënësve të votojnë për të.

Propozimi ende ka pengesa si nga Republikanët ashtu edhe nga demokratët. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Boiner, informoi anëtarët e grupit të tij mbrëmë vonë. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të bëjë të njejtën gjë sot.

XS
SM
MD
LG