Lidhje

Presidenti Obama njofton vrasjen e Osama Bin Ladenit


Presidenti Obama njofton vrasjen e Osama Bin Ladenit
Presidenti Obama njofton vrasjen e Osama Bin Ladenit

Presidenti amerikan Barak Obama tha se terroristi më i kërkuar në botë, udhëheqësi i al-Kaidës Osama bin Laden u vra nga forcat amerikane në një kompleks brenda Pakistanit. Testi i ADN-së e ka konfirmuar këtë. Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes thanë se bin-Laden u varros në det nga një anije amerikane. Ata thanë se kufoma e tij u trajtua sipas praktikës dhe traditës islame. Presidenti Obama e quajti vrasjen e bin-Ladenit si arritjen më domethënëse në misionin për mposhtjen e al-Kaidës Presidenti amerikan tha se drejtësia është vënë në vend.

Mbrëmë, presidenti Barak Obama njoftoi se Osama bin Laden, themeluesi i rrjetit terrorist të al-Kaidës, ishte vrarë. 25 minuta para mesnatës, presidenti Obama dha njoftimin që populli amerikan priti gati dhjetë vjet për ta dëgjuar.

“Dua ta njoftoj popullin amerikan dhe botën, se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion përmes të cilit është vrarë Osama Bin Laden, kreu i al-Kaidës dhe terroristi përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm”.

Zoti Obama tha se ishte informuar që në gusht mbi vendndodhjen e mundshme të bin Ladenit. Ai tha se kreu terrorist fshihej në një kompleks në Abotabad të Pakistanit.

Presidenti tha se e kishte autorizuar misionin javën e kaluar “për ta kapur bin-Ladenin dhe për ta sjellë atë para drejtësisë”. Zoti Obama tha se një njësi e vogël amerikanësh e kryen operacionin dje kundër kompleksit.

“Pas një shkëmbimi zjarri, ata e vranë Osama bin Ladenin dhe morën trupin e tij”.

Presidenti e pranoi se al-Kaida do të vazhdojë përpjekjet për sulme kundër Shteteve të Bashkuara, dhe paralajmëroi amerikanët të jenë vigjilentë.

“Unë e kam bërë të qartë, ashtu sikurse presidenti Bush pas 11 shtatorit, se lufta jonë nuk është kundër islamizmit, sepse bin-Ladeni nuk ishte udhëheqës mysliman. Ai ishte vrasës i myslimanëve. Al-Kaida ka vrarë qindra myslimanë në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Obama tha se bashkëpunimi me Pakistanin kundër terrorizmit i ka ndihmuar forcat amerikane ta gjejnë bin-Ladenin. Ai tha se i kishte telefonuar presidentit pakistanez Asif Ali Zardari për ta njoftuar atë për vrasjen e bin Ladenit. Presidenti tha se zyrtarët pakistanezë ishin dakort se kjo ishte një ditë e shënuar dhe historike për të dy vendet.

Zoti Obama i telefonoi edhe ish presidentit Xhorxh W. Bush, i cili ishte president me 11 shtator dhe nisi luftën kundër terrorizmit.

Ndër hollësi të tjera mbi ngjarjen, administrata e Presidentit Obama tha se terroristi më i kërkuar në botë, Osama bin Laden u vra në një operacion gjatë natës që zgjati më pak se 40 minuta. Gjatë një takimi, një zyrtar i administratës tha se një njësi e vogël forcash amerikane arritën të hynin në kompleksin në Abotabad, rreth 56 kilometra larg kryeqytetit Islamabad.

Zyrtarët thanë se kompleksi jashtëzakonisht i veçantë, kishte dy porta sigurie, mure 3-5 metra të lartë me tela me gjemba, dhe një tarracë në katin e tretë të rrethuar me mure dy metra të larta. Një zyrtar tha se shtëpia ishte më shumë se 8 herë më e madhe se shtëpitë e tjera në atë zonë, nuk kishte telefona apo internet, dhe njerëzit që banonin aty i digjnin plehrat në vend që t’i nxirrnin jashtë.

Zyrtarët thanë se vlera e përafërt e shtëpisë ishte rreth një milion dollarë. Zyrtarët e zbulimit amerikan arritën në përfundimin se në kompleksin e dy vëllezërve, që nuk kishin burime të qarta pasurie, jetonte një person me rëndësi. Sipas zyrtarëve, bin-Ladeni i rezistoi sulmit dhe u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, së bashku me dy nga korrierët e tij dhe një djalë. Një grua, që u përdor si mburojë nga një prej luftuesve, u vra gjithashtu dhe dy gra të tjera u plagosën.

Një nga helikopterët amerikanë u shkatërrua për shkak të problemeve mekanike. Banorë lokalë, thanë se nuk e dinin që bin-Ladeni jetonte në atë kompleks. Banorët thanë se kishin dëgjuar krisma armësh dhe kishin parë nga çatitë e tyre flakët që kishin përfshirë kompleksin. Zona u bllokua më vonë nga forcat pakistaneze.

XS
SM
MD
LG