Lidhje

Presidenti Obama paraqet projekt-buxhetin për vitin 2012


Presidenti Obama paraqet projekt-buxhetin për vitin 2012
Presidenti Obama paraqet projekt-buxhetin për vitin 2012

Presidenti Obama thotë se duhet të bëhen zgjidhje të dhimbshme për të rregulluar financat e Amerikës.

“Kam bërë thirrje për një ngrirje në shpenzimet vjetore për çështje të brendshme gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Kjo ngrirje do të shkurtonte deficitin për më shumë se 400 miliard dollarë gjatë dekadës së ardhshme, duke zbritur këtë lloj shpenzimesh – harxhimet e kontrollueshme vendore – në shkallën më të ulët në raport me ekonominë e vendit që nga presidenca e Duajt Ajzehauërit.”

Buxheti i presidentit autorizon shkurtime në shpenzimet e mbrojtjes, ruajtjes së mjedisit dhe shumë projekte të tjera qeveritare. Projekti llogarit në rritje të shpejtë ekonomike gjatë viteve në vijim dhe kufizon zbritjet në taksa për të pasurit por edhe lehtësimet tatimore për korporatat. Në përgjithësi, ulja e deficitit është paraparë të jetë më shumë se 1 trilion gjatë 10 vjetëve.

Në të njëjtën kohë, buxheti i propozuar zgjeron fondet për projekte infrastrukturore, nisma për energji të pastër dhe përparësi arsimore. Duke folur në një shkollë fillore në Baltimorë të Merilendit, zoti Obama tha se Amerika duhet të vazhdojë të investojë me shikimin drejt së ardhmes.

“Jam i bindur se nëse ndërtojmë, sjellim risi dhe arsimohemi më shumë e më shpejt se pjesa tjetër e botës, vendet e punës dhe industritë e kohës sonë do të zënë fill këtu në Shtetet e Bashkuara. Populli ynë do të përparojë dhe vendi ynë do të korrë sukses.”

Republikanët menjëherë e kundërshtuan projekt-buxhetin e presidentit, duke thënë se do t’i shtonte borxhit kombëtar edhe 7 trilion dollarë dhe do ta shtynte Amerikën drejt falementimit financiar. Kongresisti republikan Pol Rajën është kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin.

“Nuk është vonë për ta drejtuar anijen nga duhet, për të bërë që ekonomia të rritet sërish, që borxhin ta kthejmë në drejtim të duhur dhe që t’i zgjidhim problemet fiskale të Amerikës. Por nëse vazhdojmë ta shtyjmë këtë punë për më vonë, nëse nuk pranojmë të merremi me çështjet si buxheti, do të vijë koha kur do të jetë tepër vonë.”

Ligjvënësit republikanë ende nuk kanë hartuar ndonjë alternativë për buxhetin e 2012-ës, por synojnë të presin shpenzimet e tanishme federale dhe premtojnë të vijojnë me shkurtimet derisa të zgjidhen telashet fiskale.

“Kriza e borxhit shkaktohet nga shpenzimet, jo taksat. Atëherë, të merremi me thelbin e problemit, që janë shpenzimet”, thotë përfaqësuesi Rajën.

Presidenti Obama thotë se shkurtimet e thella të shpenzimeve që i përkrahin republikanët do të dëmtonin gjasat e Amerikës për begati në të ardhmen dhe do të detyronin padrejtësisht të varfërit dhe të dobëtit të përballojnë barrën e çrregullimit fiskal ndër vite. Republikanët mbajnë qëndrim se bymimi i qeverisë federale dhe shtimi i vazhdueshëm i borxhit kombëtar do të shkatërrojë vendin, duke dëmtuar të gjithë – të pasur e të varfër.

Ekonomistët thonë se asnjëra palë në debatin për buxhet nuk ka përqafuar nevojën e ngutshme për reforma në programet që u mundësojnë të hyra dhe sigurim shëndetësor pensionistëve, kostoja e të cilave pritet të arrijë shuma marramendëse në vitet e ardhshme. Ekspertët shpjegojnë se derisa të mos përmbahen shpenzimet për ato programe, Amerika do të vazhdojë të lëngojë nga shëndeti fiskal e ekonomik.

Votimi i parë në Kongres për buxhetin mund të vendoset në rend dite qysh javën e ardhshme, por për një marrëveshje përfundimtare – nëse do të arrihet – ka gjasë të kalojnë muaj të tërë.

XS
SM
MD
LG