Lidhje

Presidenti Obama po vëzhgon gjendjen në Libi


Presidenti Obama po vëzhgon gjendjen në Libi
Presidenti Obama po vëzhgon gjendjen në Libi

Si në rastin e trazirave politike në Egjipt dhe Tunizi dhe demonstratave në vendet e tjera në rajon, deklaratat e administratës së Presidentit Barak Obama vazhdojnë të bëjnë thirrje për dhënien fund të dhunës ndaj protestuesve paqësorë dhe theksojnë rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive universale.

Presidentit Obama ka marrë njoftime të rregullta rreth Libisë dhe situatës në vendet e tjera nga këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Tom Donilon.

Megjithatë që nga publikimi i deklaratës me shkrim për Libinë javën e kaluar, presidenti e ka lënë Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton të jetë fytyra dhe zëri kryesor i përgjigjes publike të Shteteve të Bashkuara.

Dje në Departamentin e Shtetit, zonja Klinton tha se SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare e dënojnë dhunën në Libi, duke përmendur ato që i quajti njoftime për qindra njerëz të vrarë dhe shumë të plagosur.

Ndërsa Presidenti Obama u nis për në Ohajo për një ekspoze të politikave të tij ekonomike, sekretari i shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni tha se zoti Obama nuk pritet të bëjë ndonjë deklaratë shtesë për tani.

Zoti Karni tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me vendet e tjera dhe po marrin pjesë në takime pranë Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare mund të jetë më e efektshme “kur flet njëzëri”.

Ai nuk dha ndonjë informacion në lidhje me bisedat që Presidenti Obama mund të ketë pasur me udhëheqës të tjerë botërorë rreth gjendjes në Libi.

Pyetjes nëse ngjarjet në Libi tregojnë se përpjekjet gjatë viteve të fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane për të “rehabilituar” udhëheqësin libian Moamer Gadafi kanë qenë gabim, zoti Karni ju përgjigj duke përsëritur qëndrimin e qartë të administratës në lidhje me nevojën për t’i dhënë fund dhunës kundër protestuesve paqësorë dhe për të respektuar të drejtat themelore universale dhe aspiratat legjitime për reforma.

Para se Presidenti Obama të kthehej në Uashington nga vizita e tij e shkurtër në Ohajo, rreth 30 protestues me parulla kundër Gadafit organizuan një demonstratë para Shtëpisë së Bardhë, duke bërë thirrje që udhëheqësi libian të japë dorëheqjen. Protestuesit brohorisnin “ndalni gjakderdhjen” dhe “ndalni vrasjet”.

Dje vonë, presidenti zhvilloi takim me disa zyrtarë mes të cilëve edhe nënpresidenti Xho Bajdën dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts.

Teksa Presidenti Obama po shqyrton hapat e ardhshëm në lidhje me Libinë, dy ligjvënës të fuqishëm amerikanë kanë paraqitur rekomandimet e tyre. Ndërkohë, udhëheqësi libian Gadafi u shfaq i palëkundur në televizion dhe nuk pranoi të jepte dorëheqjen.

Ligjvënësja republikane Ileana Ros-Lehtinen, e cila kryeson Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet Ndërkombëtare, bëri thirrje për sanksione ekonomike ndaj Libisë, përfshirë ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimit të zyrtarëve libianë.

Senatori Xhon Keri, i cili kryeson Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, iu bashkëngjit zonjës Ros-Lehtinen në thirrjet për përjashtimin e Libisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së. Zoti Keri tha gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet t’ua bëjë me dije komandantëve ushtarakë të Libisë se mund të përballen me akuza ndërkombëtare për krime të luftës.

XS
SM
MD
LG