Lidhje

Presidenti Obama njofton planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani

  • Ardita Simiçia
  • Festim Gashi

Presidenti Obama njofton planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani

Presidenti Obama njofton planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani

Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi fillimin e fundit të luftës 10 vjeçare në Afganistan, duke urdhëruar tërheqjen e 33 mijë trupave amerikane deri në fund të vitit 2012. Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama i tha popullit amerikan se rrjedha e luftës ka ndryshuar. Ai tha se 10 mijë trupat e para amerikane do të tërhiqen brenda këtij viti. Trupat e tjera që janë dërguar në dhjetor të vitit 2009 do të tërhiqen vitin e ardhshëm. Forcat tjera amerikane do të tërhiqen gradualisht nga Afganstani vitin e ardhshëm ndërkohë që forcat afgane fillojnë marrjen e kompetencave në çështjet e sigurisë. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht në Afganistan rreth 100 mijë trupa:

Presidenti e paraqiti vendimin e tij për të shkurtuar numrin e trupave në Afganistan, si kurorëzim i suksesshëm i politikave të tij të mëparshme ndaj këtij vendi. Zoti Obama tha mbrëmë se në fjalimin e tij të vitit 2009 në Akademinë Ushtarake West Point, kur kishte vendosur shtimin e numrit të trupave në Afganistan, ai kishte vënë objektiva të qarta. Dërgimi i 30 mijë trupave shtesë, sipas presidentit Obama, ishte bërë me qëllim luftimin e al-Kaidës, ndalimin e përparimit të talibanëve, dhe stërvitjen e trupave afgane. Ai tha se këto objektiva janë përmbushur.

“Sonte mund t’ju them se ne po e përmbushim këtë angazhim. Falë burrave dhe grave në uniformë, personelit tonë civil, dhe partnerëve tanë të koalicionit ne po realizojmë objektivat tona. Si rezultat, duke filluar muajin e ardhshëm ne do të jemi në gjendje të fillojmë tërheqjen e 10 mijë trupa deri në fund të këtij viti. Deri në verën e vitit të ardhshëm ne do të tërheqim 33 mijë trupa nga Afganistani”.

Presidenti Obama tha se pas këtij pakësimi fillestar të trupave, forcat tjera amerikane do të tërhiqen gradualisht nga Afganstani ndërkohë që forcat afgane fillojnë marrjen e kompetencave në çështjet e sigurisë. Misioni ynë do të ndryshojë nga një mision me rol luftarak në një mision mbështetës, tha presidenti Obama. Ai shtoi se ky proces do të përfundojë në vitin 2014.

“Nga viti 2014 ky tranzicion do të përfundojë. Populli afgan do të jetë përgjegjës për sigurinë e tyre.”

Presidenti Obama tha se tërheqja e trupave po fillon nga një pozicion i fuqishëm. Al-Kaida është nën trysninë më të madhe që nga sulmet e 11 shtatorit 2001. Ai tha se me ndihmën e Pakistanit Shtetet e Bashkuara kanë eliminiuar më shumë se gjysmën e udhëheqjes së Al-Kaidës. Falë ndihmës së forcave të zbulimit dhe forcave speciale, Shtetet e Bashkuara kanë vrarë udhëheqësin e Al-Kaidës Osama Bin Laden. Kjo ishte fitore e madhe për të gjithë ata që kanë shërbyer që nga 11 shtatori 2011 tha presidenti Obama.

Në fjalimin e tij mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama foli edhe për sakrificat e mëdha që kanë bërë amerikanët në luftrat që u angazhua vendi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001:

“Bashkëkombasit e mi, amerikanë. Kjo ka qenë një dekadë e vështirë për vendin tonë. E kemi mësuar sërish koston e rëndë të luftës, që është paguar nga afro 4500 amerikanë që kanë gjetur vdekjen në Irak dhe mbi 1500 në Afganistan, burra e gra që nuk do të arrijnë të gëzojnë lirinë që luftuan për ta mbrojtur. Por sot, gjejmë ngushëllim në faktin që kësaj lufte po i bie fuqia. Më pak nga djemtë e vajzat tona po shërbejnë në frontin e luftës. I kemi dhënë fund misionit luftarak në Irak. Megjithëse do të ketë ditë të vështira përpara në Afganistan, drita e një paqeje të sigurtë po shihet në distancë”.

Presidenti u ndal më pas në mesazhin e misionit dhe rolit të përgjithshëm Amerikan në botë. Ai iu kundërvu zërave që do të donin që Amerika të vetë-izolohej, duke mos dëgjuar rreziqet që kërcënojnë vetë ekzistencën e vendit; ndërkaq, presidenti paralajmëroi se ka të tjerë që kërkojnë që Amerika të shtrihet përtej mundësive të saj, duke iu përgjigjur çdo të keqeje jashtë vendit. Amerika, tha Presidenti, duhet të gjejë një kurs të mesëm. Ashtu si brezat e mëparshëm, amerikanët duhet të përqafojnë rolin unik të Amerikës në rrugën e historisë, por duhet ta bëjnë këtë me pragmatizëm. Zoti Obama u ndal tek angazhimi i fundit amerikan në Libi, për të cilin ai është akuzuar kohët e fundit se e ka futur vendin në një konflikt të ri, pa autorizimin e Kongresit. Kur persona të pafajshëm po masakrohen, Shtetet e Bashkuara duhet të mobilizojnë aleatët e tyre, tha zoti Obama, duke theksuar se Libia është një konflikt ku Amerika nuk ka mobilizuar asnjë nga trupat e saj tokësore.

Ndërkohë që një numër republikanësh kanë filluar me intensitet fushatën në përgatitje për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, presidenti Obama u ndal edhe tek politikat e brendshme,duke nënvizuar se me mbylljen e këtyre luftrave, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi të angazhojnë më shumë energji, fonde dhe vëmendje tek përparësitë në vend. Amerika, tha zoti Obama është një vend, i cili forcën që tregon në arenën ndërkombëtare e mbështet mbi të gjitha tek forca dhe mundësitë që u ka hapur qytetarëve të saj brenda vendit. Gjatë 10 vjetëve të fundit, Amerika ka shpenzuar një trilion dollarë në luftra, ndërkohë që vendi ishte në vështirësi ekonomike dhe borxhet thelloheshin. Tani ka ardhur koha për të investuar tek populli amerikan:

“Duhet të mobilizojmë forcën e novacioneve që krijojnë vende të reja pune, ndërkohë që jetojmë brenda mundësive tona, duhet të rindërtojmë infrastrukturën, duhet të gjejmë burime të reja të energjisë së pastër dhe mbi të gjitha duhet të ri-zbulojmë pikësynimin e përbashkët që na bashkoi në fillim të kësaj lufte, pasi vendi ynë gjen fuqi tek pikëpamjet tona të ndryshme, dhe kur vendi ynë është i fortë, asnjë horizont nuk është i paarritshëm”.

Presidenti e mbylli fjalimin me një thirrje për unitet në vend. Shembulli më i mirë i kësaj, tha zoti Obama, janë veteranët. Ai përmendi një ndër oficerët e forcave speciale që asgjësuan bin Ladenin, i cili kishte vlerësuar unitetin e ekipit, si një familje e vetme në atë mision. Tani, tha presidenti, ka ardhur koha të mbyllim këto luftra, dhe të përqendrohemi në realizimin e premtimit që ofron Amerika.

Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë me Presidentin Obama para se ai të mbante fjalimin drejtuar vendit mbi Afganistanin. Intervista përqendrohet në mënyrë ekskluzive në çështje që lidhen me zhvillimet në Afganistan, përfshirë planin për tërheqjen e trupave amerikane, procesin e ripajtimit në këtë vend, marrëdhëniet me Pakistanin dhe rolin e Islamabadit në zhvillimet në Afganistan. Intervista do të transmetohet në emisionin televiziv Ditari.

XS
SM
MD
LG