Lidhje

Presidenti Obama riafirmon ndryshime në politikën për Azi-Paqësorin


Presidenti Obama riafirmon ndryshime në politikën për Azi-Paqësorin
Presidenti Obama riafirmon ndryshime në politikën për Azi-Paqësorin

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Barak Obama, riafirmoi “aleancën e pathyeshme” me Australinë gjatë një fjalimi që mbajti në parlamentin australian në Kambera. Zoti Obama tha se fokusi diplomatik i Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë tani nga lufta kundër terrorizmit tek sfidat ekonomike dhe të sigurimit në rajonin e Azi-Paqësorit. Ai është presidenti i katërt amerikan që mban fjalim para ligjvënësve australianë në kryeqytetin e vendit.

“Zoti President, mirësevini në Dhomën e Përfaqësueseve. Fjalimi juaj sot është një moment i rëndësishëm në historinë e kësaj Dhome”, me këto fjalë e priti Presidentin Obama kryetari i Dhomës australiane të Përfaqësuesve.

Presidenti Obama u prit përzëmërsisht nga ligjvënësit australianë. Ai tha se aleanca dypalëshe e sigurisë është e pathyeshme dhe se lidhjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë janë të thella.

“Që nga llogoret e Luftës së Parë Botërore deri tek malet e Afganistanit, australianët dhe amerikanët kanë qendruar krahas njeri tjetrit. Ne kemi luftuar sëbashku, ne kemi dhënë jetën sëbashku në çdo konflikt të madh gjatë këtyre 100 vjetëve të fundit. Ky solidaritet ka vazhduar edhe gjatë kësaj dekadës së fundit të vështirë. Ne nuk do të harrojmë kurrë sulmet e 11 shtatorit që u kushtuan jetën jo vetëm amerikanëve, por edhe shtetasve nga shumë vende të tjera, pëfshirë Australinë”.

Fjalimi i Presidentit Obama në Parlament në Kambera erdhi një ditë pas njoftimit se Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë një avion ushtarak dhe deri në 2500 marinsa në pjesën veriore të Australisë, një lëvizje që shihet nga analistët rajonalë si një mesazh i qartë drejtuar Kinës. Pekini ka reaguar ftohtë, duke theksuar se ky dislokim mund të mos jetë e përshtatshëm.

Presidenti Obama u shpreh pozitivisht për ngritjen e Kinës si fuqi ekonomike dhe ushtarake, por tha se do të donte të shikonte një angazhim më të madhe mes forcave amerikane dhe kineze për të shmangur keqkuptimet.

Megjithatë, ai ka premtuar të zgjerojë ndikimin amerikan në rajonin e Azi-Paqësorit si shprehje e fuqisë amerikane për të shkurajuar kërcënimet në atë pjesë të botës.

“Si rajoni me rritjen më të shpejtë në botë dhe me më shumë se gjysmën e ekonomisë globale, Azi-Paqësori është kritik në përparësitë e mia, pasi ai po krijon mundësi punësimi për popullin amerikan. Me shumicën e fuqive bërthamore të botës dhe me rreth gjysmën e popullsisë së botës, Azia do të përcaktojë nëse shekulli në vazhdim do tëjetë peridhë konfliktesh apo bashkëpunimi”.

Uashingtoni po e zhvendos fokusin e tij diplomatik nga Lindja e Mesme dhe lufta kundër terrorizmit në sfidat e sigurisë dhe mundësitë ekonomike në rajonin e Azi-Paqësorit.

Pas fjalimit në parlamentin e Australisë në Kanbera, ndalesa tjetër e presidentit është qyteti verior Darvin, para se ai të shkojë në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të 18 vendeve të Azisë Lindore.

XS
SM
MD
LG