Lidhje

Presidenti Obama: Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet

  • Kent Klein

Presidenti Obama: Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet

Presidenti Obama: Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet

Presidenti Barack Obama mirëpriti lajmin se niveli i papunësisë kishte pësuar rënie sërish për muajin janar. Presidenti i kërkoi edhe një herë Kongresit që të mbështesë planet e tij ekonomike.

Zoti Obama është i inkurajuar nga shifrat që rezultuan më të mira se priteshin dhe që tregojnë se janë shtuar 243 mijë vende të reja pune dhe se papunësia për janarin u ul në 8,3 për qind nga vlera 8,5 për qind e dhjetorit.

“Këto shifra do të rriten e do të ulen në muajt në vazhdim dhe ka ende tepër amerikanë që janë të papunë apo që kanë nevojë për një vend pune me një rrogë më të mirë se ajo që kanë tani. Por ekonomia po përmirësohet. Rimëkëmbja po përshpejtohet.”

Shefi i Grupit të Këshilltarëve për Ekonominë të presidentit, Alan Krueger, e quajti shtimin e vendeve të punës të muajve të fundit “një shenjë inkurajuese”.

Presidenti Obama, duke folur në një qendër zjarrfikësish në Arlington, pranë Uashingtonit, i kërkoi ligjvënësve të miratojnë zgjatjen e afatit për shkurtimin e taksave pa humbur kohë.

“Unë dua t’i dërgoj Kongresit një mesazh të qartë: Mos ngadalësoni rimëkëmbjen që kemi nisur. Mos e pengoni. Lejoni që të vazhdojë lëvizjen në drejtimin e duhur.”

Por republikanët thonë se ata do të mund të bënin një punë më të mirë.

Kandidati kryesues republikan për president Mitt Romney tha se politikat e zotit Obama kanë penguar një rimëkëmbje të vërtetë ekonomike.

Si pjesë e propozimeve të tij ekonomike, Presidenti Obama tha se ai do të bëjë ç’është e mundur për të krijuar vende të reja pune dhe mundësi për veteranët ushtarakë të kthyer në vend.

Presidenti tha se më tepër se 3 milionë veteranë i janë rikthyer një jete civile në 10 vitet e fundit dhe se qindra mijëra të tjerë pritet të kthehen në vend, ndërkohë që lufta në Afganistan shkon drejt fundit.

XS
SM
MD
LG