Lidhje

Presidenti Obama fillon turneun e tij europian

  • Kent Klein

Presidenti Obama fillon turneun e tij europian

Presidenti Obama fillon turneun e tij europian

Presidenti Barak Obama fillon më 23 maj një vizitë 6 ditore në Europë. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë Kent Klein i Zërit të Amerikës , presidenti do të bisedojë me udhëheqësit europianë rreth përmirësimit të ekonomisë botërore dhe sigurisë rajonale, sikurse dhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Pas një jave të përqëndruar në trazirat e Lindjes së Mesme, Presidenti Obama do të kthejë vëmendjen tek Europa dhe shqetësimet e saj, kryesisht në situatën e ekonomisë globale.

Presidenti do ta nisë vizitën e tij nga Irlanda, ekonomia e së cilës, e quajtur dikur “tigri “ i Europës, tani është përfshirë nga kriza e borxhit.

Në Irlandë, zoti Obama do të kombinojë punën me kënaqësinë, duke vizituar një fshat të vogël ku kanë jetuar disa prej paraardhësve të tij.

“Pres të shkoj jo vetëm në të gjitha vendet më të famshme, por do të shkoj dhe në Moneygall, andej nga janë rrënjët e katragjyshërve të mi”.

Rreth 37 milionë amerikanë deklarojnë prejardhjen e tyre nga Irlanda, dhe zoti Obama thotë se dy vendet ndajnë një lidhje familjare të ngushtë.

Më pas, presidenti do të kalojë dy ditë në Londër për një vizitë zyrtare.

Ai dhe zonja Obama do të qëndrojnë në Pallatin Bakingem, ku Mbretëresha Elizabet do të shtrojë një banket shtetëror për nder të tyre.

Në Londër, zoti Obama do të flasë në të dyja dhomat e parlamentit britanik, dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Dejvid Kameron rreth ekonomisë, sigurisë dhe çështjeve të tjera.

Stiven Klemons, i Fondacionit “New America” në Uashington, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë një angazhim të madh përsa u përket ndryshimeve më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Sipas tij, këto angazhime janë:

“Ndryshimet fenomenale që po ndodhin e që duket se do të vazhdojnë për vite në Lindjen e Mesme, sfida e vazhdueshme për tërheqjen e trupave nga Afganistani, ndërhyrja e kombinuar e forcave të Natos dhe aleatëve në Libi”.

Por analistët thonë se qëllimi kryesor i takimeve në Londër do të jetë zbutja e pikave të ashpra në të ashtuquajturën “ marrëdhënie speciale” mes Shteteve të Bashkuara dh Britanisë.

Pas mosëmarrëveshjeve, siç ishte fajësimi i Britanisë nga ana e administratës Obama për ndotjen e Gjirit të Meksikës nga shpërthimi i platformës së kompanisë BP në këtë zonë, Steven Klemons thotë se marrëdhënia speciale nuk është më aq e veçantë sa një herë e një kohë. Por ai thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

“Nuk e shoh konfliktin si problem, për aq kohë sa jepen shenjat e një marrëdhënieje të re, të natyrshme e të shëndetshme, e cila në të ardhmen mund të jetë më e frytshme”.

Presidenti do të shkojë në Normandi, Francë dhe qytetin turistik të Deauvillit, ku grupi i 8 vendeve më të industrializuara do të zhvillojë takimin e përvitshëm të nivelit të lartë.

Krerët e G-8, do të mbulojnë një numër çështjesh, mes tyre çështje të shëndetit global, sigurisë së ushqimit dhe kontrollit të armëve.

Domeniko Lombardi, i Institutit “Brookings” në Uashington, thotë se zoti Obama e di se një ekonomi e shëndetshme e vendeve të G-8 do të ndikojë për mirë në rimëkëmbjen ekonomike të Amerikës.

“Por natyrisht, ende ka elementë delikatë, e në këtë mënyrë, është shumë e rëndësishme për ekonominë amerikanë që edhe ekonomitë e tjera të rëndësishme po ia dalin mbanë”.

Zoti Lombardi thotë se ai pret që preisdenti Obam të nxisë partnerët europianë të Amerikës për politika më të rrepta fiskale, veçanërisht për vendet që janë në borxhe të thella si Greqia, Portugalia dhe Irlanda.

“Presidenti Obama do t’u kërkojë homologëve të tij europianë që të jenë më agresivë për t’ju përgjigjur si duhet krizës në Europë”.

Në të njëjtën kohë, presidenti shpreson që të sigurojë homologët e tij për fuqinë dhe rëndësinë e marrëdhënieve mes tyre.

Zoti Obama do të përmbyllë udhëtimin e tij me një vizitë të paralajmëruar prej kohësh në Poloni. Presidenti kishte planifikuar që të vizitonte Poloninë vitin e kaluar, për të marë pjesë në ceremoninë e varrimit të presidentit Leh Kazinski dhe zyrtarëve të tjerë që u vranë nga përplasja e avionit me të cilin udhëtonin. Por vizita u anulua si pasojë e resë së madhe të tymit, të shkaktuar nga shpërthimi i një vullkani në Islandë.

Gjatë vizitës së tij në Poloni, zoti Obama dhe presidenti Bronislav Komorovski pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për të dislokuar avionë luftarakë amerikanë F-16 në Poloni, propozim i cili ka zemëruar Rusinë.

XS
SM
MD
LG