Lidhje

Presidenti Obama dhe politika e tij e imigracionit


Presidenti Obama dhe politika e tij e imigracionit
Presidenti Obama dhe politika e tij e imigracionit

Presidenti Barak Obama shfrytëzoi një vizitë pranë kufirit me Meksikën për një fjalim të rëndësishëm që përforcon thirrjet e tij për angazhim dypartiak në reformimin e ligjeve amerikane të imigracionit.

Përballë kundërshtimit të vazhdueshëm të republikanëve në Kongres rreth mënyrës më të mirë për një reformë gjithëpërfshirëse, zoti Obama po përpiqet të nxisë edhe më tej debatin për të gjetur një zgjidhje për sistemin e imigracionit, për të cilin shumica e amerikanëve pajtohet se është jofunksional.

Të martën, ai udhëtoi për në El Paso të Teksasit, një vijë kryesore kufitare me Meksikën prej mbi 3 mijë e 100 kilometrash. Sikurse edhe në shtetet e tjera në jugperëndim të vendit, imigracioni i paligjshëm është temë e rëndësishme edhe në Teksas, ku përqindja e popullsisë hispanike u rrit me 43 përqind gjatë dekadës së kaluar.

Në fjalimin e tij pas inspektimit të një pike doganore në Urën e Amerikave, zoti Obama përmendi hapat që ka marrë për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të pakësuar kalimet e paligjshme, duke theksuar se administrata e tij i është përgjigjur shqetësimeve të shprehura nga republikanët e opozitës.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e po atyre republikanëve që thanë se mbështesin reformë më të gjerë nëse zbatimi i saj do të merrej seriozisht. Të gjitha kërkesat e bëra janë plotësuar”.

Duke folur para gazetarëve këtë javë, zyrtarë të lartë të administratës dhanë hollësi rreth këtyre hapave, ku përfshihet tejkalimi i dyfishimit të numrit të agjentëve të rojës kufitare në 20 mijë e 700 dhe një plan për të zgjeruar dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare.

Administrata ka shtuar bashkëpunimin me Meksikën në luftimin e dhunës që shkaktojnë kartelet drogës, ka intensifikuar kontrollet hekurudhore dhe të automjeteve, ndërsa ndodhet pranë përfundimit të një muri kufitar 1 mijë e 200 kilometra të gjatë. Zyrtarët gjithashtu përmendin shtimin e rasteve të konfiskimit të narkotikëve dhe armëve pa leje dhe një rënie prej 36 për qind në përpjekjet për imigrim të paligjshëm.

Në El Paso, zoti Obama përsëriti thirrjen e tij drejtuar republikanëve për që t’i bashkohen atij në gjetjen e pikave të përbashkëta për të mundësuar një zgjidhje dypartiake për reformën e imigracionit.

“Pra, çështja është nëse ata në Kongres, të cilët më parë u larguan me aryetim zbatimin e ligjit, janë tani të gatshëm të vijnë sërish në tryezë për të përfunduar punën që kemi filluar. Ne duhet të vëmë politikën mënjanë dhe në qoftë se veprojmë ashtu, jam i bindur se do të gjejmë një gjuhë të përbashkët”.

Zoti Obama nuk përcaktoi ndonjë afat kohor për hartimin e legjislacionit për imigracionin. Ai foli në terma të përgjithshëm për synimet e reformës, përfshirë detyrimet që imigrantët e paligjshëm të paguajnë një gjobë, të mësojnë anglisht, t’i nënshtrohen kontrollit dhe të presin në radhë për të fituar statusin e ligjshëm, si dhe mbajtjen përgjegjës të bizneseve që shfrytëzojnë punëtorët pa dokumente.

Presidenti ende përballet me kundërshtime nga republikanët kryesorë në Kongres, të cilët pohojnë se çdo projektligj gjithpërfshirës për imigracionin duhet të presë derisa të arrihet siguria kufitare.

Senatorët Jon Kyl dhe John McCain, që të dy nga shteti i Arizonës, kanë propozuar një plan prej 10 pikësh për të cilin thonë se do të ofrojë më shumë kontroll të kufirit. Mes të tjerash, aty propozohet dislokimi i të paktën 6 mijë trupave të Gardës Kombëtare dhe 5 mijë roje kufiri. Zoti Kyl foli për shtypin nga Kongresi amerikan të martën.

"Mendoj se pothuajse të gjithë e pranojnë se derisa të arrihet siguria kufitare, çdo shpresë për legjislacione shtesë që trajtojnë problemet e imigracionit mesa duket nuk do të ketë sukses në Kongres".

Citimet e zotit Obama në Teksas ishin pjesa e fundit e asaj për të cilën Shtepia e Bardhë synon të jetë një fushatë intensive për reformën e imigracionit, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012.

Veprimtaria e djeshme i ofroi zotit Obama shansin që të flasë për çështjen e rendësishme ekonomike dhe politike të imigracionit pikërisht ku përbën shqetësimin më kryesor, duke përfituar për të apeluar ndaj votuesve hispanikë.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, zoti Obama fitoi votën kombëtare të hispanikëve me 67 përqind. Ai humbi në Teksas, një bazë e fuqishme republikane, përballë senatorit John McCain me një diferencë prej 10 përqindësh. Udhëtimi i presidentit në Teksas gjithashtu përfshiu pjesmarrjen në dy tubime për mbledhje fondesh të Partisë Demokrate në Austin.

XS
SM
MD
LG