Lidhje

Presidenti Obama shkon në takimin e G20-të në Kanë të Francës

  • Kent Klein
  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama shkon në takimin e G20-të në Kanë të Francës

Presidenti Obama shkon në takimin e G20-të në Kanë të Francës

Presidenti Barak Obama shkon në takimin ekonomik të nivelit të lartë të G-20s në Francë me shpresat për të ndihmuar që Evropa të gjejë një zgjidhe afat gjatë të krizës së borxheve. Presidenti do të përpiqet gjithashtu që t’i bindë këto vende se problemet ekonomike dhe politike të Amerikës mund të kapërcehen.

Kriza e borxheve të Evropës, e cila kohët e fundit çoi në trazira në rrugët e Athinës, do të jetë në krye të rendit të ditës të G20-s në Kanë të Francës.

Marrëveshja e javës së kaluar e Bashkimit Evropian për të shtuar fondet e paketës së ndihmave emergjente dhe shkurtuar borxhin e Greqisë pritej të zbuste deri diku presionin ndaj udhëheqësve të G20-tës. Por vendimi i djeshëm i udhëheqësve grekë për të mbajtur referendum për këtë paketë hedh dyshime mbi marrëveshjen.

Presidenti Obama e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë të rëndësishëm, por tha se mbetet ende shumë për të bërë.

“Aspekti kyç tani është që të sigurohemi se marrëveshja do të zbatohet e plotë dhe me vendosmëri. Unë kam besim të plotë tek udhëheqësit evropian për ta realizuar këtë objektiv”.

Në takimin e Kanës mund të ngrihen edhe problemet ekonomike dhe politike të Amerikës. Shkalla e lartë e papunësisë ka bllokuar rimëkëmbjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, mosmarrëveshjet politike kanë bërë që vende të tjera të vënë në pikpyetje aftësinë e Uashingtonit për të zgjidhur problemet e veta ekonomike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni i siguroi partnerët e G20-s se presidenti po bën përparim në këtë drejtim.

“Ai çon në Francë faktin se kjo administratë po i kërkon Kongresit që të veprojë lidhur me këto probleme. Presidenti shkon në Kanë si udhëheqës i ekonomisë më të madhe të botës dhe si një aleat dhe mik i madh i shumë vendeve të mëdha”.

Një tjetër përparësi e zotit Obama në Kanë është të kërkojë më shumë akses në tregjet e botës për eksportet amerikane.

“Ne duhet të sigurojmë pozitën e një vendi me një treg të madh dhe do të mirëpresim mallrat nga e gjithë bota, por ne duhet edhe të shesim mallrat tona në tregjet e botës”.

Presidenti do të flasë gjithashtu edhe rreth çështjes sensitive të vlerës së monedhës kineze, juanit, thotë Matthias Matthijs, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara janë një vend debitor dhe mendojnë se Kina eksporton si pasojë e praktikave të saj të padrejta tregtare, ndërkohë që kinezët mendojnë se Amerika shtyp shumë para dhe e manipulon në këtë mënyrë ekonominë e vet”.

Scheherazade Rehman, drejtore e Qendrës Kërkimore prë Bashkimin Evropian në Universitetin George Washington, nuk beson se pikpamjet e presidentit Obama rreth monedhës kineze do të mbështeten nga udhëheqësit evropianë.

“Ata janë shumë të preokupuar me problemet e tyre dhe nuk mendojnë se kjo është koha e përshtatshme për të folur rreth monedhës kineze. Nga pikpamja e Presidentit Obama, ky është momenti që t’i thotë me pak fjalë popullit amerikan se ai po bën të gjitha përpjekjet që të krijojë vende pune në Amerikë dhe t’i mbajë ato në vend”.

Këto dhe çështje të tjera do të diskutohen në takimet dy ditore të G20-s. Presidenti Obama dhe udhëheqësit e tjerë të G-20s mbërrijnë në Kanë nesër në mëngjes dhe largohen të premten vonë.

XS
SM
MD
LG