Lidhje

Presidenti Obama shpreson të avancojë arritjet e takimti të G-20s

  • Kent Klain

Presidenti Obama shpreson të avancojë arritjet e takimti të G-20s

Presidenti Obama shpreson të avancojë arritjet e takimti të G-20s

Pas takimit dy ditor të nivelit të lartë të G-20s në Francë që u dominua nga kriza greke e borxhit, Presidenti Barak Obama tha se do të vazhdojë presionin për masa më të shpejta për zgjidhjen e krizës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain na informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti u zotua gjithashtu se do të këmbëngulë për miratimin e ligjit të tij për hapjen e vendeve të reja të punës në Amerikë.

Presidenti Obama u largua të premten nga Kana, duke u shprehur me optimizëm se Evropa do t’i zgjidhë problemet e saj ekonomike, një hap shumë i rëndësishëm ky për rimëkëmbjen ekonomike të botës.

Por ai dhe udhëheqës të tjerë jo evropianë të G20-s duan masa të shpejta për të ndalur përhapjen e krizës evropiane të borxhit.

“Pasi dëgjova partnerët evropianë gjatë dy ditëve të fundit, kam besim se Evropa ka kapacitet të për ta përballuar krizën. E di që nuk është e lehtë, por tepër kritike për momentin është të veprohet”.

Udhëheqësit evropianë të G-20s shprehën vendosmërinë për t’u marrë seriozisht me problemin e borxhit. Por masat e menjëherëshme për të cilat kishte shpresuar administrata Obama nuk u konkretizuan.

Zoti Obama u ofroi edhe këshilla të tjera dhe i inkurajoi homologët e tij evropianë, por jo ndihmë financiare nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, presidenti tha se takimi i Kanës shënoi disa arritje. Italia, një nga ekonomitë kryesore të Evropës, mund t’i ketë parandaluar probleme të ngjashme me ato të Greqisë duke e lejuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për ta monitoruar ekonominë e saj. Edhe udhëheqësit e G-20s ranë dakorf t’i japin FMN-së më shumë burime për të luftuar krizën financiare.

"Evropa është në rrugën e duhur me planin e saj për Greqinë. Italia ka rënë dakord për një program monitorimi nga FMN-ja dhe në fakt e kërkoi vetë atë. Janë identifikuar gjithashtu mjetet që do t’i krijonin më shumë mundësi botë të mbështesë veprimin evropian”.

Shqetësimet e vendeve të tjera të G-20s lidhur me gjendjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara u vunë në dukje me publikimin e shifrave të reja për mangësi në hapjen e vendeve të reja të punës muajin e fundit.

Zoti Obama shfrytëzoi rastin për t’i bërë përsëri thirrje Kongesit të miratojë paketën ligjore prej 447 miliardë dollarësh për hapjen e vendeve të punës, duke thënë se programi i tij ekonomik po shënon përparim.

“A është ai aq i mirë sa duhet? Absolutisht jo. Ne duhet të bëjmë më shumë. Sa më shpejt që unë të marr sinjale nga Kongresi se ata janë të gatshëm t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre, mendoj se ne duhet të bëjmë më tepër”.

Presidenti Obama dhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë paraqitur projekt-ligje mjaft të ndryshme për krijimin e vendeve të punës.

Disa udhëheqës të tjerë të G-20s e vlerësuan planin e zotit Obama dhe ai do ta promovojë atë gjatë ditëve të ardhëshme para popullit amerikan.

Megjithëse në pjesën më të madhe takimi i nivelit të lartë të Kanës u përqendrua në ekonominë evropiane, Kina ra dakord të shpejtonte përpjekjet për të ngritur vlerën e monedhës së saj, gjë për të cilën Presidenti Obama kishte patur në plan të bënte thirrje.

"Ne gjithashtu mirëpresim vendosmërinë e Kinës për ta bërë më fleksibël monedhën e saj. Kjo është diçka për të cilën ne kemi bërë thirrje për mjaft kohë dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm për të nxitur rritjen ekonomike”.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera përshëndetën deklaratën e Kinës se synon të hapë tregjet e saj për më shumë importe. Zyrtarët e administratës Obama thanë se njoftimet e Kinës pasqyrojnë shqetësimet e Pekinit rreth rreziqeve që pëbën për ekonominë kineze gjendja financiare e Evropës.

Çështja më e mprehtë jo ekonomike që u trajtua në Kanë ishte programi bërthamor i Iranit dhe kjo çështje do të trajtohet përsëri gjatë ditëve të ardhëshme. Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore që pritet të dali sëshpejti tregon se shkencëtarët iranianë po bëjnë përmarim drejt ndërtimit të një bombe atomike. Irani ka mohuar vazhdimisht se programi i tij bërthamor ka qëllime ushtarake.

Ndërkaq, në ditët e ardhëshme, Presidenti Obama do të bëjë fushatë për programin e tij të hapjes së vendeve të punës, para se të fillojë një seri tjetër takimesh ndërkombëtare.

Ai do të jetë mikpritësi i forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit dhe takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve të Amerikës së Veriut në shtetin e tij të lindjes, Havai. Pastaj ai do të shkojë për vizitë në Australi dhe më pas në venpushimin indonezian, Bali, për takimin e nivelit të lartë të Azisë Lindore.

XS
SM
MD
LG