Lidhje

Presidenti Obama takohet me drejtues të gjigandit të naftës BP


Presidenti Obama takohet me drejtues të gjigandit të naftës BP
Presidenti Obama takohet me drejtues të gjigandit të naftës BP

Gjatë takimit të djeshëm me presidentin Obama, BP ra dakort të krijonte një fond prej 20 miliard dollarësh, për të konpesuar individët dhe bizneset e dëmtuara nga derdhja e naftës në Gjirin e Meksikës. Den Robinson i Zërit të Amerikës njofton nga Shtëpia e Bardhë, ku kryetari i Bordit të Kompanisë BP, kërkoi ndjesë për katastrofën më të rëndë ndaj mjedisit në historinë amerikane, dhe tha se BP do të vazhdojë përpjekjet me këmbëngulje deri sa të ndalojë derdhjen e naftës dhe të ketë kompesuar të gjitha dëmet e krijuara.

Presidenti Obama, i cili ishte kritikuar disa javë me rradhë për faktin se kishte evituar takimet me zyrtarët e lartë të BP-së, më në fund u takua me Kryetarin e Bordit të kompanisë anglezë Karl Henrik Svanberg, dhe Drejtorin Ekzekutiv Toni Hejward, si dhe zyrtarë dhe avokatë të tjerë të BPsë.

Pas 4 orë bisedime, ai më në fund deklaroi para mediave rezultatin kryesor të takimit.

"Këto 20 miliardë dollarë, japin siguri të mjaftueshme se obligimet dhe pretendimet e bizneseve do të shpërblehen. Është e rëndësishme të përmend se kjo shifër nuk është tavani maksimal. Unë ju siguroj se popullsia e Gjirit të Meksisës do të dëmshpërblehet për të gjitha dëmet e pësuara nga BP-ja”.

Duke e quajtur këtë takim një fillim të mirë, presidenti tha se kompania pranoi propozimin e Shtëpisë së Bardhë për krijimin e një fondi prej 100 milion dollarësh, për të kompensuar punëtorët e papunë të sektorit të naftës si pasojë e ndalesës së përkohshme të imponur nga qeveria, për shpime nënujore.

Duke folur para gazetarëve Drejtori i Bordit të BP-së Svanberg, tha se kompania ka vendosur të mos u japë përfitime punonjësve të kompanisë për pjesën e mbetur të këtij viti.

Ai kërkoi falje, duke thënë se BP është e vendosur të rifitojë besimin e publikut.

"Dua të përfitoj nga rasti për t’i kërkuar falje popullit amerikan në emër të të gjithë punonjësve të BPsë, disa prej të cilëve jetojnë në Gjirin e Meksikës, dhe dua t’ju falenderoj për durimin që po tregoni në këtë kohë kaq të vështirë”.

Zoti Svanberg nuk i dha një përgjigje specifike pyetjes nëse mungesat e masave të sigurisë së BP-së kontribuan në derdhjen e naftës. Ai tha se Bordi i Drejtorëve ka filluar një hetim të pavarur mbi shkaqet që sollën këtë katastrofë.

Gjatë fjalimit drejtuar popullit amerikan të martën në darkë, Presidenti Obama tha se kjo situatë deshmon nevojën për të përmisuar sistemin rregullator të industrisë së naftës. Ai tha se ai do të mobilizojë vendin dhe kongresin për një politikë të re energjitike.

"Për dekada me rradhë kemi folur për nevojën që t’i jepet fundit varrësisë së Amerikës tek energjia e fosileve, dhe për dekada kemi dështuar të veprojmë me një ndjenjë urgjence, që kërkon kjo sfidë. Shumë herë rruga është bllokuar, jo vetëm nga lobistët e industrisë së naftës, por edhe nga një mungesë kurajoje politike dhe ndershmërie”.

Ndërkohë që Presidenti po përpiqet të fitojë një atmosferë të përshtatshme politik për të miratuar një projekt-ligj të ri për energjinë, fjalimi i tij nxiti kritika të reja nga republikanët si për shembull udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitç MkKonell.

"Unë shpresoja që presidenti të përqëndrohej tërësisht si të ndalojë këtë derdhje masive nafte, e jo të merret me përpjekje për të miratuar një taksë të re energjitike”.

Senatorët demokratë Çarls Shumer dhe Ron Uajden reaguan kështu pas takimit të presidentit Obama me zyrtarët e BP-së.

"BP-ja më në fund e mori mesazhin. Iu desh shumë kohë, por më në fund ata po dëgjojnë kërkesat e popullit amerikan”, tha senatori Shumer.

"Vendimi i BP-së tregon se ata e kuptojnë që e ardhmja e suksesit të tyre, varet direkt nga mënyra se si ata do të manaxhojnë këtë krizë”, tha senatori Uajden.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se Presidenti do të takohet javën e ardhshme me një grup senatorësh demokratë e republikanë për të diskutuar legjislaturën mbi energjinë.

Takimi ballë për ballë i Presidentit Obama me zyrtarët e BP-së u zhvillua ndërsa kompania tha se ka vendosur një sistem të dytë për të kapur naftën e derdhur nga pusi i dëmtuar nënujor në Gjirin e Meksikës.

XS
SM
MD
LG