Lidhje

Presidenti Obama takohet me këshilltarët e sigurimit kombëtar për krizën në Egjipt


Presidenti Obama takohet me këshilltarët e sigurimit kombëtar për krizën në Egjipt
Presidenti Obama takohet me këshilltarët e sigurimit kombëtar për krizën në Egjipt

Presidenti Obama u takua për më shumë se një orë me Zv/presidentin Xho Bajden, këshilltarin e sigurimit kombëtar Tom Donilon dhe këshilltarë të tjerë të sigurimit për të dikutuar ngjarjet më të fundit mbi trazirat në Egjipt.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, presidenti tha përsëri se është kundër dhunës dhe bëri thirrje për përmbajtje, se mbështet të drejtat që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë universale dhe përparimin konkret drejt reformave politike në Egjipt.

Administrata Obama nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj njoftimit të Presidentit egjiptian Hosni Mubarak për emërimin e shefit të zbulimit, Omar Suleiman, në postin e zv/presidentit. Suleiman do të jetë zv/presidenti i parë i Egjiptit që kur zoti Mubarak erdhi në pushtet rreth 30 vjet më parë.

Pak para këtij njoftimi të shtunën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli shkruante në rrjetin e komunikimit social Twitter se "zotimi i Presidentit Mubarak për reforma duhet të shoqërohet me veprime”.

Presidenti Obama tha të premten se i shprehu një mesazh të ngjashëm zotit Mubarak, gjatë bisedës 30 minutëshe telefonike me të. Zoti Obama tha se i bëri thirrje udhëheqësit egjiptian të përmbahet nga përdorimi i dhunës.

"Dhuna nuk zgjidh pakënaqësitë e popullit egjiptian. Shtypja e ideve nuk ka sukses në zhdukjen e tyre”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha të premten se administrata po shqyrton mundësinë e shkurtimit të ndihmës prej më shumë se 1.3 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i japin Egjiptit çdo vit.

"Ne do të rishikojmë ndihmën tonë bazuar në ngjarjet që do të zhvillohen në vend gjatë ditëve të ardhëshme. Kjo do të zgjidhet nga populli egjiptian dhe qeveria egjiptiane ka një mundësi shumë të rëndësishme të zgjidhë kërkesat e popullit që janë shprehur për disa vite me radhë”.

Egjipti ka qënë një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara që kur bëri paqe me Izraelin në vitin 1978 dhe Uashingtoni i ka dërguar Kajros miliarda dollarë në ndihma ushtarake dhe civile.

Demonstratat dhe trazirat disa ditëshe në Egjipt kundër sundimit 30 vjeçar të zotit Mubarak dhe historisë së shtypjes në vend, i kanë vënë Shtetet e Bashkuara në një pozitë delikate.

XS
SM
MD
LG