Lidhje

Presidenti Obama takohet me udhëheqës të Kongresit për shkurtimin e borxhit


Presidenti Obama takohet me udhëheqës të Kongresit për shkurtimin e borxhit
Presidenti Obama takohet me udhëheqës të Kongresit për shkurtimin e borxhit

Sekretari amerikan i thesarit Timothy Geithner tha se presidenti Obama kërkon marrëveshjen më të madhe të mundshme për pakësimin e borxhit, por republikanët kanë kundërshtuar një paketë 4 trilionë dollarëshe që kërkon Shtëpia e Bardhë.

Zoti Geithner foli sot në një program televiziv, disa orë para një takimi të planifikuar mes presidentit dhe udhëheqësve të Kongresit. Presidenti ka punuar me ligjvënës të shquar gjatë ditëve të fundit për të arritur një marrëveshje që do të rriste tavanin e borxhit kombëtar deri në afatin e 2 gushtit.

Zoti Geithner i tha programit Meet the Press sot se dështimi për arritjen e një marrëveshje për të rritur shumën e parave që qeveria mund të marrë hua do të shkaktonte dëme katastrofike për ekonominë amerikane.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha dje se ka hequr dorë nga përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse me Shtëpinë e Bardhë për të pakësuar defiçitin federal me 4 trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme.

Zoti Boehner deklaroi se i kishte thënë Presidentit Obama se tani kërkon një marrëveshje për pakësimin e deficitit në masën 2 trilionë dollarë meqë Shtëpia e Bardhë nuk do të kërkojë arritjen e një marrëveshje pa rritur taksat.

Republikanët kanë qënë të paepur në pozicionin e tyre se nuk do të mbështesin rritjen e taksave. Zoti Boehner tha se negociatat duhet të përqëndrohen në pakësimin e deficitit siç është identifikuar nga një grup dypartiak i udhëhequr nga nënpresidenti Joe Biden.

Më parë zoti Obama tha se demokratët dhe republikanët duhet të dalin nga pozicionet e tyre komode dhe të bëjnë sakrifica politike për të përballur sfidat fiskale të vendit.

XS
SM
MD
LG