Lidhje

Trashëgimia politike e Presidentit Obama


Presidenti Obama përmbylli këtë javë një udhëtim historik në Afrikë. Vendlindja e babait të tij, Kenia, ishte një ndalesë e rëndësishme për zotin Obama, i cili po ia kushton kohën e mbetur të presidencës së tij ndërtimit të një trashëgimie, që vëzhguesit thonë se është herët për ta përkufizuar.

Një udhëtim në vendlindjen e babait të tij u duk si kulmimi i një sërë fitoresh që presidenti pati arritur, ndër to edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje historike bërthamore me Iranin.

“Sot, pas dy vjet negociatash, Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, kanë arritur çka nuk ishte e mundur gjatë dekadash armiqësie – një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë me Iranin, që do ta pengojë të pajiset me një armë bërthamore,” shprehet Presidenti Obama.

Por, ekspertët thonë se kjo marrëveshje është si bixhoz, pasi e lë në dorë të Iranit, se si do ta gjykojë historia zotin Obama.

“Nëse Irani nuk i përmbahet asaj dhe prodhon armë bërthamore, ose vendos të sulmojë dikë, kjo sigurisht do të mbetet një njollë e madhe e zezë mbi trashëgiminë e zotit Obama. Të gjitha këto negocime do të shikohen qartësisht si një dështim dhe ai nuk do të jetë kurrë në gjendje ta kapërcejë këtë gjë,” thotë eksperti Dan Hapler.

Ndër sukseset e tij në politikën e jashtme ishte vrasja e Osama bin Ladenit, dhënia fund e prezencës amerikane në Irak dhe Afganistan, si dhe mospërfshirja në konflikte të reja. Por, lindja e grupimit ekstrem Shteti Islamik, vë në pikëpyetje trashëgiminë e tij në Lindjen e Mesme.

“Realiteti është se kur të largohet nga Shtëpia e Bardhë në 2017-ën, Lindja e Mesme do të jetë në gjendje shumë më të keqe se ç’e gjeti ai në vitin 2008. Me të drejtë ose jo, ai do të fajësohet se i është shmangur rrezikut dhe se nuk ka qenë i vendosur,” thotë analisti Aaron David Miller.

Presidenti befasoi shumë njerëz duke rivendosur lidhjet me Kubën komuniste.

“Deri një vit më parë dukej e pamundur që flamuri i Shteteve të Bashkuara do të ngrihej sërish në ambasadën tonë në Havanë. Ky është ndryshimi,” tha zoti Obama.

Por, këto ndryshime mund të mos mjaftojnë për të krijuar një trashëgimi, thotë Aaron David Miller, autor i librit “Fundi i madhështisë: Pse Amerika nuk mund ketë një tjetër president të madh”.

“Një president historik? Po. Një president i madh si Uashingtoni apo Linkolni, apo Ruzvelti? Jo. Pra, pikëpyetja është se ku do të zërë vend ndër 43 presidentët e ndryshëm. Është vështirë të thuhet.”

Në SHBA, zgjedhja e tij si i pari president afrikano-amerikan ishte historike.

Shumë amerikanë njohin rolin e tij në shpëtimin e vendit nga kolapsi ekonomik dhe miratimin e ligjit të sigurimit shëndetësor, Obamacare, reforma më e madhe në këtë sektor në historinë amerikane.

Por, zgjedhja e tij nuk i dha dot fund racizmit në SHBA. Gjatë eulogjisë për nëntë viktimat e vrarë rishtazi gjatë një sulmi racist në Karolinën e Jugut, zoti Obama tha se askush nuk duhet të presë një transformim brenda natës të marrëdhënieve ndërmjet racave.

Eulogjia e tij në kishë u konsiderua si një moment kulmor i presidencës së tij.

Ky transformim, ashtu si pjesa më e madhe e trashëgimisë së zotit Obama, ndoshta nuk do të shfaqet plotësisht për disa vite në vazhdim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG