Lidhje

Presidenti Obama viziton Evropën

  • Luis Ramirez

Ndërsa Rusia konsolidon pushtetin mbi rajonin e Krimesë në Ukrainë, Presidenti Barack Obama shkon javën e ardhshme në Evropë për bisedime me aleatët në një përpjekje për t’u dhënë siguri aleatëve dhe për të ushtruar presion ndaj Moskës.

Duket se Rusia ka arritur ta marrë nën kontroll Krimenë, por Presidenti Barack Obama nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për t’i dhënë fund krizës përmes sanksioneve dhe diplomacisë.

“Diplomacia mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë vazhdon. Ne e kemi theksuar se Rusia ende ka alternativën të zgjedhë një rrugë tjetër, atë të zbutjes së situatës përmes zgjidhjes diplomatike me qeverinë e Kievit, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”.

Presidenti do të bisedojë me partnerët e tij për një paketë ekonomike për Ukrainën, por edhe për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë. Ndalesa e tij e parë është Haga.

Ndryshe nga takime të mëparshme të G8-ës, Rusia nuk do të jetë këtë radhë e pranishme. Presidenti Obama ka ftuar homologët e tij të G-7-ës për bisedime për izolimin e Rusisë, ndërsa marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë për armë bërthamore.

Në këto përpjekje, zoti Obama ka një aleat të pazakontë: Kinën, që ka ngritur pikëpyetje për veprimet e Rusisë në Krime. Presidenti amerikan dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping kanë planifikuar një takim.

Më pas ai merr pjesë në takimet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Bruksel. Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bindur Rusinë të zmbrapset kanë qenë deri tani të pasuksesshme dhe zoti Obama ka një mesazh për aleatët e NATO-s.

“Mbështetja e Amerikës për aleatët e NATO-s është e palëkundur. Ne jemi të bashkuar në angazhimin e nenit të pestë për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe në vlerat e përbashkëta, për të cilat shumë breza sakrifikuan”.

Ndalesa e fundit e Presidentit në Evropë është Roma, ku ai do të takohet për herë të parë me Papa Françeskun, për të folur për luftën ndaj varfërisë dje pabarazisë.

Më pas Presidenti shkon në Artabinë Saudite. Lufta në Siri dhe ambicjet bërthamore të Iranit pritet të jenë tema të programit në takimin e Presidentit Obama me Mbretin Abdullah, ndërsa analistët thonë se këto bisedime do të jenë në vazhdimësinë e përpjekjeve të zyrtarëve amerikanë për rikonfirmimin e mbështetjes për mbretërinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG