Lidhje

Presidenti Obama, darkë pune me 18 presidentë të Evropës Qendrore e Lindore

  • Kent Klajn
  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama, darkë pune me 18 presidentë të Evropës Qendrore e Lindore

Presidenti Obama, darkë pune me 18 presidentë të Evropës Qendrore e Lindore

Presidenti Barak Obama ndodhet në Poloni, në përpjekje për të forcuar marrëdhënniet me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe për të kërkuar mbështetje për demokracitë e reja në botën arabe. Kryeqyteti polak është ndalesa e fundit në turneun 6 ditësh të Presidentit Obama në katër vende evropiane:

Presidenti Obama filloi dje udhëtimin e tij të parë në Poloni duke nderuar të renët në shekullin e 20, në Varrin e Ushtarit të Panjohur. Më pas, presidenti vuri një kurorë në Monumentin e Heronjve të Getos. Monumenti prej graniti kujton revoltën e vitit 1943 në Geton e Varshavës dhe persekutimin e hebrenjve polakë.

Më pas presidenti Obama kishte ftuar për një darkë pune presidentët e 18 vendeve që marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Evropës Qendrore. Kur filloi darka, zoti Obama u tha udhëheqësve se Shtetet e Bashkuara gjejnë frymëzim tek liria dhe rritja ekonomike që vërehet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Serbia dhe Rumania e bojkotuan darkën në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Kosovës, të cilën ata nuk e njohin si shtet të pavarur.

Në darkë kishte përfaqësues të Shqipërisë, Austrisë, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Polonisë dhe 10 vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Presidenti i Polonisë Bronislav Komorovski pret sot zyrtarisht Presidentin Obama. Të dy ata do të diskutojnë mbi shkëmbimet tregtare, përfshirë edhe rezervat e gazit të zbuluara në nëntokën polake. Presidentët mund të diskutojnë edhe mbi një marrëveshje për dislokimin e avionëve luftarakë amerikanë të tipit F-16 në Poloni, një propozim që kundërshtohet nga Rusia. Bashkëpunimi në luftën në Afganistan ka gjasa të jetë në rendin e ditës.

Një tjetër temë e mundshme në bisedime është mbështetja për demokracinë që po lind në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, që zyrtarët e kanë krahasuar me zhvillimet e 2 dekadave më parë në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Zyrtarët polakë mund të ngrenë për diskutim problemin e shtetasve polakë që u duhet të aplikojnë për vizë për udhëtim në Shtetet e Bashkuara. Pritet që të njëjtat tema të diskutohen më pas sot në takimin që zoti Obama do të zhvillojë me kryeministrin Donald Tusk.

Ish-Presidenti i Polonisë dhe udhëheqës i lëvizjes punëtore Solidarnost, Leh Valesa, nuk e pranoi ftesën për t’u takuar me Presidentin Obama dhe udhëheqës politikë të Polonisë sot. Përgjigja e tij ishte “nuk më vinte për mbarë”. Presidentë të mëparshëm amerikanë janë takuar më parë kokë-më-kokë me zotin Valesa.

Para kthimit në Uashington, zoti Obama do të vendosë një kurorë në kujtim të Presidentit polak Leh Kazinski dhe 95 viktimave të tjera të aksidentit ajror vjet në Rusi. Zoti Obama kishte në plan të merrte pjesë në ceremonitë mortore për viktimat e aksidentit, por nuk pati mundësi si rezultat i resë vullkanike që përfshiu një pjesë të mirë të Evropës në atë kohë.

XS
SM
MD
LG