Lidhje

Presidenti Obama: Zgjidhja e krizës Evropiane ka rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara

  • Dan Robinson

Presidenti Obama: Zgjidhja e krizës Evropiane ka rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara

Presidenti Obama: Zgjidhja e krizës Evropiane ka rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara

Presidenti Barak Obama priti të henën në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Bashkimit Evropian në një takim që u përqendrua mbi krizën evropiane të borxheve dhe përpjekjet nga ana e qeverive për të ruajtur eurozonën ndërkohë që shtohen shqetësimet për recesion.

Mesazhi i Presidentit Obama për Evropën e trazuar ka qënë i pandryshuar, duke shprehur besim që udhëheqësit e atij kontinenti kanë kapacitetet për të zgjidhur krizën e tyre të borxheve, por duke u kërkuar atyre që të gjejnë dëshirën politike për një zgjidhje efikase.

Ai theksoi këtë temë në dy orë bisedime dhe një dreke pune me tre zyrtarë, Presidentin e Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Pëfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian Catherine Ashton. Në një dekleratë për shtypin, zoti Obama përsëri vuri theksin tek lidhjet mes problemeve të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kjo ka rëndësi të madhe për ekonominë tonë. Nëse Evropa po tkurret ose ka probleme atëherë është ende më e vështirë për ne për të krijuar vende pune këtu sepse ne dërgojmë shumë prej prodhimeve dhe sherbimeve tona në Evropë, e cila është një partner shumë i rendësishëm tregtar për ne. Kështu që varemi shumë nga suksesi i tyre dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në një rrugë konstruktive në përpjekjet për të zgjidhur këtë çështje në një të ardhme të shkurtër.”

Takimi vjetor ndodh ndërkohë që ka shqetësime rreth rënies së Evropës në recesion, dhe qeveritë zbatojnë një marrëveshje të arritur në tetor me vendet anëtare si Italia, Greqia dhe Spanja që punojnë për të zgjidhur krizat e tyre fiskale. Takimi po ashtu ndodhi ndërkohë që ka shqetësime se problemet në Evropë, partner i rendësishëm tregtar amerikan, mund të çojnë Shtetet e Bashkuara në një recesion të thellë.

Presidenti i Këshillit të Evropës Van Rompuy tha se qeveritë evropiane kanë marrë vendime, të cilat ai i quajti të paimagjinueshme, një vit më parë por ato e dinë se më shumë duhet bërë duke theksuar një plan të cilin ai do ta prezantojë muajin që vjen.

“Po synojmë rregulla të detyrueshëm për të siguruar një disiplinë të fuqishme ekonomike dhe fiskale në vendet tona që përkon me integrimin fiskal dhe ekonomik, jo vetëm disiplinë por gjithashtu integrim në zonën euro si një e tërë.”

Ndërkohë Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso tha se udhëheqësit evropianë janë të vendosur ta trajtojnë krizën në mënyrë efikase por shtoi se do të duhet kohë për disa vendime.

“Dua të siguroj Presidentin Obama dhe po ashtu amerikanët. Evropa po përjeton kohë të vështira por ne jemi të vendosur për t’i tejkaluar vështirësitë aktuale.”

Në një intervistë për Zërin e Amerikës profesori i ekonomisë politike ndërkombëtare Jonathan Story me shkollën franceze të biznesit INSEAD, tha se Shtetet e Bashkuara janë të kufizuara rreth atyre që mund të bëjnë që Evropa të ecë përpara.

“Shtetet e Bashkuara kanë interes në zgjidhjen e problemit sepse Evropa është një treg i madh për bizneset amerikane të cilat janë investueset kryesore në Evropë dhe investitorët evropian janë kryesorët në Shtetet e Bashkuara, kështu që të dy ekonomitë janë shumë të ndërthurura por faktikisht është shumë pak çka mund të bëjnë Shtete e Bashkuara për zgjidhjen e problemeve sepse zgjidhja është në duart e evropianëve.”

Bisedimet SHBA-BE në të cilat mori pjesë edhe Sekretarja Clinton po ashtu mbuluan Pranverën Arabe, situatën në Siri, programin bërthamor të Iranit dhe çështjen e të drejtave politike dhe njerëzore në Ukrainë dhe Bjellorusi.

Me theksin tek zgjedhjet e para pas Mubarakut në Egjipt, dhe situatën në Tunizi dhe Libi, një dekleratë e përbashkët thoshte se sfida të mëdha gjenden përpara por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të vendosura në mbështetje të ndryshimeve demokratike dhe rritjes ekonomike në rajon.

Deklerata i bënte thirrje qeverisë së zotit Asad në Siri për ti dhënë fund menjëherë dhunës, lejimin e vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve ndërkombëtar dhe të kalimin paqësor në demokraci.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndanë shqetësime të thella rreth dimensioneve të mundëshme ushtarake lidhur me programin bërthamor të Iranit, duke thënë se janë të angazhuara për zgjidhje diplomatike por do të shqyrtojnë masa të tjera duke patur parasyshë dështimin e vazhdueshëm të Iranit për të respektuar detyrimet e tij ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG