Lidhje

Obama u kërkon të dy partive të bëjnë kompromise për kufirin e borxhit

  • Kent Klain

Obama u kërkon të dy partive të bëjnë kompromise për kufirin e borxhit

Obama u kërkon të dy partive të bëjnë kompromise për kufirin e borxhit

Tri ditë para se të bllokohen pagesat e borxhit amerikan, Presidenti Barak Obama po ushtron presion ndaj të dy partive, veçanërisht republikanëve, të bëjnë kompromis për ngritjen e kufirit të borxhit. Siç na njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, Kent Klain, Presidenti tha përsëri dje se beson se arritja e një marrëveshjeje është e mundëshme.

Në fjalimin e tij javor në radio dhe në Internet, Presidenti Obama përsëriti pikpamjen e tij se kriza mund të zgjidhet, por vetëm nëse demokratët dhe republikanët punojnë sëbashku.

“Ka mënyra të shumta për të zgjidhur problemin. Kongresi duhet të gjejë pika takimi për një plan që do të mbështetej nga të dy partitë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Ky duhet të jetë një plan që unë mund ta nënshkruaj të martën”.

Demokratët në Senat dhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve shpenzuan pjesën më të madhe të fund javës duke hedhur poshtë versionet e planeve të njeri tjetrit për t’i dhënë fund krizës.

Megjithatë, siç u shpreh dje presidenti, senatorë nga të dy partitë po bisedojnë me njeri tjetrin për të gjetur zgjidhje.

“Mund të them se demokratët në Kongres dh disa republikanë në Senat kanë qënë të vemendshëm dhe të gatshëm të bëjnë kompromise për zgjidhjen e krizës. Tani, të gjithë ne, përfshirë republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, duhet të demonstrojmë të njejtën shkallë përgjegjshmërie siç ka treguar populli amerikan çdo ditë. Koha për të vënë në krye interesin partiak ka kaluar”.

Qeveria amerikane nuk do të ketë mundësi të paguajë disa nga këstet e saj të borxhit të martën, nëse ligjvënësit nuk ngrenë kufirin e huasë prej 14.3 trilionë dollarësh që u shënua disa muaj më parë.

Në fjalimin javor të repulikanëve, Senatori Jon Kil nga Arizona tha se partia e tij është e angazhuar për shkurtimin e shpenzimeve, ndërsa demokratët vazhdojnë të përpiqen për ngritjen e taksave.

“Për fat të keq, pas disa javë negociatash, është bërë e qartë se demokratët në Uashington nuk e kanë parë këtë krizë si mundësi për të ulur shpenzimet. Në fakt, ata e kanë parë si mundësi për të ngritur ndjeshëm taksat për familjet amerikane dhe bizneset e vogla”.

Demokratët kanë rënë dakord të shkurtojnë shpenzimet për të cilat kanë këmbëngulur republikanët. Por të dy partitë nuk kanë rënë dakord lidhur me taksat për të pasurit, për shkurtimin e shpenzimeve në programet sociale dhe për të propozuar një amendament kushtetues për balancimin e buxhetit.

Ndërkaq, Senati do të votojë sonte pas mesnatës për planin mbi reduktimin e deficitit, ndërkohë që negociatat jo zyrtare vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG