Lidhje

Presidenti Sejdiu: Gjykata është ngutur për pozicionin tim në LDK


Presidenti Sejdiu: Gjykata është ngutur për pozicionin tim në LDK

Presidenti Sejdiu: Gjykata është ngutur për pozicionin tim në LDK

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha sot se Gjykata Kushtetuese është ngutur me opinionin e saj të shpallur dje sipas së cilës “ka shkelje serioze te Kushtetutës nga Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike "Lidhja Demokratike e Kosovës".

Vendimi i Gjykatës nëntë anëtarëshe i referohet nenit 88.2 të Kushtetutës në të cilin thuhet se “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”. Presidenti Sejdiu i cili u kthye sot në Prishtinë nga New Yorku tha se pret të studiojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të marrë ndonjë vendim rreth kësaj çështjeje. Ai tha se normat kushtetuese janë respektuar nga ana e tij.

Unë them po kështu paralelisht se është shumë e nevojshme për opinionin tonë ta them se ajo normë kushtetuese që ekziston në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është respektuar, është respektuar duke pasur parasysh zhvillimin nga ideja e ndërtimit të saj deri në gjithë qasjet e mëvonshme. Mos ushtrimi i funksionit apo ushtrimi i funksionit është kategori kushtetuese dhe unë ju them në historikun e materies, sepse jam nga njerëzit që kam përcjellë me vëmendje ndërtimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe besoj edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë aty edhe e dinë se cila ka qenë ideja, se nuk është shembull identik me normat kushtetuese që kanë vendet tjera. Sepse që në fillim është paraparë, që njeriu që zgjidhet apo personi që zgjidhet për President të vendit duhet të japë dorëheqje edhe nga partia politike edhe nga funksionet politike dhe ajo normë është fshi. Kjo normë e tanishme është bërë në bashkëpunim edhe me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtar në proces, është bërë në bashkëpunim me faktorë të rëndësishëm vendorë dhe është në ndërgjegjen e njerëzve që e kanë vendosur në mënyrën si e kanë vendosur. Unë nuk dua t’i fajësoj. Është çështje e studimit nga ana e tyre”.

Presidenti Sejdiu tha se nuk është krijuar mundësia që të dëgjohen njerëzit që kanë paraqitur çështjen e presidentit në Gjykatën Kushtetuese.

Ka qenë një nguti e llojit të vet, s’dua t’i akuzoj, mbase e ka lyp urgjenca që të shpejtohet dhe të komunikohet në mënyrën si është komunikuar. Për mua kanë qenë të mirëseardhura gjithmonë lajmet që i kam marrë nga gazetat dhe mjetet e caktuara të informacionit dhe jo asnjëherë përmes përfaqësuesve të mi dhe unë drejtpërdrejt dhe s’kam çfarë të them tjetër. Do të shohim, unë jam njeri që respektoj institucionet, do të respektojë vendimin e tyre, të shoh rrugën se cila do të jetë përgjigja e Presidentit të vendit në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë, kam bërë në interes të vendit gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, në proceset më të mëdha që i kemi kapërcyer dhe më të ndjeshme që i kemi kapërcyer”.

Presidenti Sejdiu e kishte shpallur “të ngrirë”, postin e kryetarit të partisë, ndërsa vlerësimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese pasoi kërkesën e paraqitur nga një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mbajtjes së posteve të dyfishta nga presidenti. Paraqitësit e kësaj kërkese kërkuan sot dorëheqjen e presidentit, duke ju referuar siç thuhet normave kushtetuese që parashohin mundësinë e shkarkimit të presidentit në rast se vërtetohet se ka shkelje të rënda të Kushtetutës.

Fatmir Sejdiu, u vu në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2006 pas vdekjes së udhëheqësit të saj, Ibrahim Rugova, por vazhdoi që njëkohësisht të kryente edhe funksionin e presidentit të vendit. Vendimi i gjykatës vjen në kohën kur ka filluar fushata për zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe si i tillë mund të jetë përcaktues për rrjedhën e këtyre zgjedhjeve.

Deri tash ka pasur vetëm një kandidim për këtë post nga ana e ministrit aktual të shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Bujar Bukoshi.

XS
SM
MD
LG