Lidhje

Presidenti serb Boris Tadiç thotë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

  • Leonat Shehu

Presidenti serb Boris Tadiç thotë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti serb Boris Tadiç thotë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, tha sot se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Ai i bëri këto komente në përfundim të vizitës së tij në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse, vizitë e cila ishte bërë edhe me pëlqimin e qeverisë së Kosovës por me kushtin që ajo të mos shfrytëzohej për deklarime politike. Vizita e tij në Kosovë u prit me protesta të lëvizjes Vetëvendosje dhe një grupi organizatash joqeveritare të cilat e cilësuan të papranueshme që në Kosovë të qëndrojë njeriu që kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës. Duke folur sot në manastirin mesjetar të Deçanit ai e përsëriti qëndrimin kundërshtues i pyetur nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë Kosovën.

“Ju e dini përgjigjen time. Kurrë. Ajo është e shkurtër dhe e qartë.”, tha presidenti serb, autokolona e të cilit mbrëmë u qëllua me gurë nga qindra protestues në Deçan. Ai tha se në këtë vizitë dëshiron të dërgojë mesazhe paqeje për të gjithë në Kosovë.

“Edhe serbët, shqiptarët dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duhet të kuptojnë çfarë është ekzistenca jonë dhe çfarë është roli ynë e ai është që të kuptojmë njëri tjetrin të mbështesim njëri tjetrin, të mundësojmë jetë të sigurt për fëmijët që vijnë pas nesh pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo fetare”, tha presidenti serb duke nënvizuar se vetëm mesazhet e paqes kanë kuptim në Krishtlindje.

Vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur që të organizojnë një referendum me të cilin qytetarët serb në atë zonë do të deklarohen nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Kosovës. Kjo nismë që sipas autoriteteve në Prishtinë nuk ka rrjedhoja pozitive për serbët në veri përveç vazhdimësisë së tensioneve, është kundërshtuar edhe nga pushteti aktual në Serbi i cili e ka akuzuar opozitën serbe për veprimet e saj që pengojnë rrugën evropiane të Serbisë.

Serbia dështoi të marrë muajin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës. Bashkimi Evropian i ka vënë si kusht Serbisë përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën që në radhë të parë nënkupton shtendosjen në veriun e Kosovës ku veprojnë strukturat e mbështetura nga Beogradi. Por, presidenti serb gjatë qëndrimit në Kosovë ka refuzuar çdo mundësi të mënjanimit të strukturave të tilla që nuk njihen nga Prishtina. Sipas tij, largimi i tyre do të nënkuptonte në afat më të gjatë shpërngulje të serbëve nga Kosova.

Prishtina i ka akuzuar këto struktura dhe Beogradin për situatën në veriun banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG