Lidhje

Presidenti Obama shmang komentet për desidentin kinez Chen Guangcheng


Presidenti amerikan Barak Obama ka refuzuar të konfirmojë nëse një disident kinez i verbër, i cili kohët e fundit u arratis nga arresti shtëpiak në Pekin, është nën mbrojtjen e SHBA-së.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari ditën e hënë, presidenti Obama tha se ai nuk do të bëjë një deklaratë mbi gjendjen e Chen Guangchen.

Nuk ka dyshim se unë jam i informuar rreth njoftimeve të shtypit mbi gjendjen në Kinë, por nuk dua të bëjë ndonjë deklaratë për këtë çështje. Atë që unë dua të theksojë është se gjatë gjithë takimeve me Kinën, përherë paraqitet edhe çështja e të drejtave të njeriut.” - tha presidenti Obama gjatë një konference shtypi dje në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin për fatin e Chen, por kanë refuzuar komentet për vendndodhjen e tij ndërsa ka njoftime të pakonfirmuara që ai iku në ambasadën e SHBA në Pekin.

Presidenti Obama tha se ai është në dijeni të raporteve të shtypit mbi situatën dhe shtoi se çdo herë që Shtetet e Bashkuara takohen me Kinën shtrohet çështja e të drejtave të njeriut në këtë vend.

Komentet e zotit Obama vijnë një ditë para takimit të përvitshëm dypalësh në Pekin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner do të drejtojnë delegacionin amerikan.

Zonja Clinton u bëri jehonë komenteve të zotit Obama më vonë ditën e djeshme, duke thënë se në këtë moment ajo nuk do të trajtojë çështjen e zotit Chen. Megjithatë, ajo tha se mund të garantojë se të drejtat e njeriut do të jetë ndër çështjet e diskutuara gjatë takimit në Pekin.

Diplomati i lartë amerikan për Azinë Lindore, Kurt Campbell, arriti në Pekin të dielën dhe pritet të bisedojë me zyrtarët kinezë rreth zotit Chen.

Organizata kineze e të drejtave të njeriut me qendër në Shtetet e Bashkuara thotë se zoti Chen është nën mbrojtjen e SHBA-së, dhe se janë duke u zhvilluar bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve kinezë.

Duke folur për Zërin e Amerikës të dielën, presidenti i ChinaAid, organizatës kineze për të drejta e njeriut me bazë në SHBA, Bob Fu tha se ndërsa Chen është i sigurt dhe në një vend larg nga shtëpia e tij, mundësia e vetme për të mund të jetë largimi drejt Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG