Lidhje

Presidenti Topi bën thirrje për qetësi dhe ligj


Presidenti Topi bën thirrje për qetësi dhe ligj
Presidenti Topi bën thirrje për qetësi dhe ligj

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri sot thirrje gjitha palëve politike të interesuara për zgjedhjet që të ruajnë qetësinë dhe të largohen nga tensionimet, për të treguar kulturën demokratike europiane. Presidenti Topi i bëri këto komente pas një takimi në mesditë me ambasadorët e SHBA, OSBE dhe BE.

Presidenti Topi tha se vërtet komisionet zgjedhore janë ndërtuar nga PD dhe PS me pjesëmarrje dypartiake, ndwrsa detyrimi i tyre për të zbatuar ligjin nuk është partiak, por është kushtetues. Zoti Topi tha se ai dhe diplomatët perëndimorë janë të shqetësuar për rritjen e emocioneve politike që shkaktuan episode force të padenja.

“Klasa politike, udhëheqësit politikë duhet t’i kthehen ndërgjegjes civile, t’i trajtojnë gjërat ashtu sikurse e thotë Kushtetuta dhe ligji, të bien në një terren qytetar, të mos krijojnë asnjë lloj situate tensioni! Dhe pastaj gjithçka do të vendoset sikurse e parashikon ligji dhe vetëm ligji. Ne nuk jemi në epokën para ligjit. Ne jemi në epokën kur ka ligj dhe ligji është i detyrueshëm të respektohet nga cilido, pa paragjykuar askënd”, tha presidenti Topi. Ai theksoi se veçanërisht në këto çaste është shumë e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohen ligjit dhe vetëm ligjit, sepse kjo është thelbësore për demokracinë shqiptare.

Kryeministri Sali Berisha kërkoi po ashtu që institucionet shtetërore të bëjnë me kujdes e përkushtim detyrat e tyre ligjore. Zoti Berisha deklaroi se rezultatet e votimeve jane shumë të ngushta dhe pikërisht kjo është një provë për institucionet demokrattike.

“Kjo është një garë e ngushtë, e ndarë në variantin e parë me 10 vota, në variantin e numërimit të votave të panumëruara në mbi 70 vota. Kjo nuk është një provë e thjeshtë, për çdo vend është një provë e rëndësishme një provë e vërtetë, ndaj dhe le të dëshmojmë ne se demokracia, se ligji, se shteti ligjor, mund dhe do të zgjidhë edhe këtë problem delikat, në interesin e të vërtetës, në interesin e vendit. Ky rezultat i ngushtë i pa precedent në 20 vitet e fundit, është edhe një provë e paprecedentë për institucionet e vendit. Le të shprehim ne besimin e plotë, se këtë provë po e kapërcejmë me sukses të vërtetë, jashtë çdo lloj presioni, jashtë çdo lloj ndikimi, le të ndjekim ne punën e këtyre institucioneve si rrugën e vetme dhe të sigurtë për t’i dhënë zgjidhjen më të mirë ligjore problemit kësaj gare kaq të ngushtë”, tha zoti Berisha.

Deputetë dhe përkrahës të opozitës organizuan edhe sot një tubim para KQZ për të kundërshtuar vazhdimin e numërimit të votave të hedhura gabim nëpër kutitë e votimit. Edhe pse nën diell të nxehtë, folësit deputetë mbajtën fjalime të gjata para disa qindra përkrahësve të tyre, duke kundërshtuar procedurat e numërimit në KQZ, dhe tani po bëhet e zakonshme që ata grumbullohen aty disa orë paradite dhe disa orë në mbrëmje.

XS
SM
MD
LG