Lidhje

Presidenti Topi flet me shqetësim për shkëmbimin e akuzave mes pozitës dhe opozitës

  • Armand Mero

Presidenti Topi flet me shqetësim për shkëmbimin e akuzave mes pozitës dhe opozitës

Presidenti Topi flet me shqetësim për shkëmbimin e akuzave mes pozitës dhe opozitës

Përveҫ mesazhit për ҫështjen e vizave, presidenti Bamir Topi sot në mesazhin e tij flet me tone shqetësuese për situatën e krijuar nga shkëmbimi i akuzave politike dhe kërkon nga institucionet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë.

Në mesazhin e tij presidenti Topi rikonfirmon mbështetjen për institucionet e drejtësisë duke kërkuar megjithatë prej tyre që “të veprojnë pa vonesë, me kurajo e profesionalizëm për të trajtuar ҫdo akuzë reciproke të aktorëve politikë, ҫdo denoncim dhe brenda një kufiri kohor të caktuar të informojnë publikun, mbi të vërtetat e tyre. Kushdo që ka abuzuar me ligjin, pavarësisht pozicionit, staturës politike apo publike duhet të përballet me ligjin”, shprehet presidenti. Sipas kreut të shtetit “asnjë individ apo grup individësh, qofshin politikanë, apo përfaqësues drejtësie nuk mund të bëhen pengesë për integrimn e vendit”.

Për këtë arsye presidenti Topi i bën thirrje klasës politike që të heqë pengesën e imunitetit parlamentar për deputetët e po ashtu heqjen apo kufizimin e imunitetit për njerëzit e drejtësisë dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kreu i shtetit, ndonëse nuk përmend raste të veҫanta, kërkon që “zyrtarët e cilitdo niveli të bashkëpunojnë me drejtësinë ne mënyrë që sic shprehet ai “të mos lejohet përsëritja e gabimeve të së kaluar e të ketë drejtësi të mohuar apo drejtesi të penguar”.

Kreu i shtetit kërkon nga klasa politike që të mbështesë një gjyqësor të pavarur e të paanshëm e të shmangë dhënien e opinioneve para ose gjatë gjykimit të një ҫështjeje. “Shqipëria - përfundon mesazhin e tij presidenti Topi - ka nevojë për vepra konkrete politike, nisma konkrete ligjore antikorrupsion dhe veprime konkrete të institucioneve përgjegjëse për të dëshmuar se pushtetet kushtetuese kanë moralin dhe tagrin e duhur profesional profesional për të ushtruar si duhet përgjegjësitë e tyre ligjore”.

XS
SM
MD
LG