Lidhje

Presidenti Topi ftoi partitë për “bashkëpunim të plotë dhe dinjitoz” në Parlament


Presidenti Topi ftoi partitë për “bashkëpunim të plotë dhe dinjitoz” në Parlament
Presidenti Topi ftoi partitë për “bashkëpunim të plotë dhe dinjitoz” në Parlament

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vlerësoi rifillimin e bashkëpunimit të partive politike në parlament për reformën zgjedhore dhe tema të tjera, si shprehje e vullnetit pozitiv të tyre për të ecur përpara. Presidenti Topi deklaroi në një bisedë në TV NEWS 24 se këto parti që tani po bashkëpunojnë janë po ato që deri dje kishin mospajtime, ndaj këto metamorfoza duhen sqaruar nga vetë forcat politike.

Zoti Topi tha se “bashkëpunimi i partive në institucione është ajo që presin të gjithë. Ky bashkëpunim duhet të jetë i plotë dhe dinjitoz, dhe është vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE-së”. Sipas tij, ky mirëkuptim është një hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE krahas 12 rekomandimeve të njohura. “Rikthimi është gjithmonë një gjë e mirë. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Pjesëmarrja në institucion është kushti i parë dhe i domosdoshëm pa të cilin nuk mund të diskutohet për të tjerat. Partive u sugjeroj që të mos bëjnë atë që kanë bërë në mënyrë konstante gjatë 20 viteve të demokracisë; që është humbja e kohës dhe shtyrja e reformave për në ditën e fundit” - tha ai.

Presidenti Topi tha se reformat duhen bërë në kohë, sepse shpesh partitë humbin shumë muaj me debatet, duke i shtyrë ato për në fund. Ai tha se ishte pro një KQZ-je larg politikës, ndërsa për sistemin zgjedhor theksoi se mbetej në vullnetin e palëve konkurrente. Zoti Topi tha se Shqipëria i ka provuar sistemin maxhoritar dhe atë proporcional. Sipas tij, Shqipëria ka patur gjithnjë ligje të mira, por gjithnjë problemi ka lindur tek zbatimi i tyre.

Bashkimi Europian nxiti dje qeverinë dhe opozitën të rivendosin plotësisht dialogun e qëndrueshëm dhe konstruktiv për një funksionim sa më të mirë të institucioneve demokratike. BE u kërkoi autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet për reformat dhe zbatimin e 12 detyrave kryesore për integrim.

XS
SM
MD
LG